Kryeprokurorit Lumezi i Premtohet Ndihma e Prokurorisë Holandeze

Kryeprokurori i Holandës për çështje ndërkombëtare, Albert van der Kerk, i ka premtuar kryeprokurorit Lumezi, se do të ndihmojë sistemin prokurorial të Kosovës.

Këtë premtim, kryeprokurori holandez e ka dhënë gjatë një takimi që ka pasur sot me kryeprokurorin Lumezi bënë të ditur Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Kryeprokurori Lumezi, fillimisht e njoftoi kryeprokurorin, van der Kerk, me funksionimin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial e posaçërisht me atë të Prokurorit të Shtetit, duke theksuar se prokurorët e Shtetit janë të vendosur dhe të gatshëm që të kontribuojnë në forcimin e sundimit të Ligjit, si dhe për t’u përballuar me sfidat që i ka sistemi prokurorial”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Temë e diskutimit ka qenë edhe  bashkëpunimi juridik ndërkombëtar, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër terrorizmit.  Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se pavarësisht vështirësive institucionet e drejtësisë duhet t’i tejkalojnë të gjitha këto, që të arrijnë rezultate më të mira në hetimin dhe ndëshkimin e krimit.

Krejt në fund, Lumezi e ka falënderuar kryeprokurorin holandez për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Këshillit Prokurorial të Kosovës.