Kryeprokurori i Prizrenit Bën Bilancin Vjetor të Punës

Prokuroria Themelore e Prizrenit thotë se ka arritur që të përfundojë më shumë lëndë se sa ka pranuar në punë gjatë vitit të kaluar.

Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Admir Shala, tha se institucioni që ai drejton pavarësisht vështirësive, ka shënuar rritje të efikasitetit.

“Nëse bëjmë një analizë nga lëndët e pranuara gjatë vitit 2017 dhe lëndëve të kryera del se kemi pranuar 3938 ndërsa kemi kryer 4550 që është mbi 100% të lëndëve të kryera në raport me ato të pranuara gjate vitit 2017”, tha Admir Shala.

Kreu i kësaj prokurorie theks të veçantë i dha suksesit në luftën kundër korrupsionit duke treguar për numrin e lëndëve që janë në rënie në këtë prokurori.

“…Kemi trashëguar 21 kallëzime penale ndaj 63 personave, ndërsa gjate vitit 2017 kemi pranuar në punë 47 kallëzime me 82 persona dhe në punë gjithsej i kemi pasur 68 kallëzime penale prej tyre janë zgjidhur 51 kallëzime penale me 118 persona dhe kemi arritur t’i ngrisim 24 aktakuza”, shtoi ai.

Shala tha se kjo prokurori ka arritur që në 2017 të sekuestrojë pasuri në vlerë afro 300 mijë euro.

“Gjatë vitit 2017 kemi arritur të sekuestrojmë 31 automjete, një shtëpi, një banesë si dhe dy garazha që kapin vlerën mbi 300 mijë euro. Këto do të kërkohen që të konfiskohen nga ana e gjykatës në përfundim të procedurës penale”, nënvizoi Admir Shala.

Kryeprokurori foli edhe për lëndët të cilat janë zgjidhur me procedura alternative. Ai tha se 229 lëndë janë zgjidhur me ndërmjetësim dhe 144 lëndë të tjera me marrëveshje për pranimin e fajësisë. Të gjitha këto lëndë që nuk e kanë ngarkuar as prokurorinë e as gjykatën në trajtimin e tyre.