Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka - Foto: KALLXO.com

Kryeprokurori i Prishtinës në Darkë me Njerëzit e LDK-së

Disa javë pasi u rizgjodh në krye të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, kryeprokurori Imer Beka është parë duke darkuar në ambientet e një restoranti me Sami Hamitin dhe njerëz të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gjatë kësaj ndeje është shkrepur edhe një fotografi, e cila është publikuar në rrjetin social “Facebook”.

I kontaktuar nga KALLXO.com kryeprokurori Beka tha se nuk ka qenë darkë por vetëm fotografi e çastit.

“Unë nuk kam darku. Unë kam qenë në një tavolinë tjetër por kam shkuar ju kam folur aty dhe kemi bërë fotografinë”, tha Beka.

Kryeprokurori i Prishtinës për më tepër thotë se as nuk i njeh mirë ata me të cilët u fotografua. Arsyeja, sipas tij, pse shkoi aty ishte daja.

“Unë i njoh si fytyra publike por kam shkuar dhe ju kam folur se e kam pasë dajën aty ulur”, tha Beka.

Beka tha se krejt procesi nuk ka zgjatur as edhe një minutë.

Pamja nga darka e kryeprokurorit Imer Beka me njerëz të LDK-së - Foto: Facebook
Pamja nga darka e kryeprokurorit Imer Beka me njerëz të LDK-së – Foto: Facebook

Por, për dallim nga kryeprokurori i Prishtinës, opinion tjetër ka personazhi tjetër i fotografisë, Sami Hamiti.

Sami Hamiti është këshilltar komunal nga radhët e LDK-së në Asamblenë e Prishtinës dhe anëtar i LDK-së në KQZ.

“Nuk është ai prokuror pasdite. E kam mik qe 30 vite. Qitet njeri pas orës katër ku del edhe han bukë, edhe në bukë jeni duke na ndjekë. Lëreni atë punë dhe mos u bëni qesharakë. Njeriu para luftës ka punuar te presidenti Rugova dhe prej atëherë njihem me të dhe e kam mik shumë të mirë jashtë pozitës që e ka dhe jashtë politikës”, tha Hamiti.

Lidhur me faktin që pas ndërrimit të pushtetit në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar disa dosje në Prokurorinë e Prishtinës lidhur me udhëheqjen e Komunës, Sami Hamiti tha se nuk i interesojnë ato dosje aspak.

Në shtator 2012, Sami Hamiti, në atë kohë kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, ishte arrestuar nën dyshimet për korrupsion.

Një muaj më vonë, Hamiti ishte liruar nga paraburgimi.

Sami Hamiti Lirohet nga Paraburgimi

Në fund të tetorit të vitit 2016, emisioni “Drejtësia në Kosovë“ zbuloi rastin e drekimit të prokurorit Visar Musa me një të akuzuar.

Pak ditë më vonë nisën hetimet ndaj prokurorit Musa dhe gjyqtarit që kishte aranzhuar takimin mes prokurorit dhe të akuzuarit.

http://kallxo.com/prokurori-e-gjyqtari-nen-hetime-pas-drekes-me-te-akuzuarin/

Ndërsa një muaj pas transmetimit të emisionit, prokurori i Ferizajt Visar Musa dha dorëheqje nga posti i tij.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-prokurori-qe-drekoi-te-akuzuarin/

Dorëheqja e prokurorit që drekoi me të akuzuarin u miratua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 30 nëntor 2016.

http://kallxo.com/miratohet-doreheqja-e-prokurorit-qe-drekoi-te-akuzuarin/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ në maj të vitit 2016 kishte zbuluar edhe bisedat dhe bizneset e prokurorit të Prizrenit, Bajram Hamitaga, me familjen e të akuzuarit Granit Paçarizi.

Në muajin shtator ishte ngritur aktakuzë kundër prokurorit Hamitaga dhe shoferit të tij.

http://kallxo.com/konfirmohet-aktakuza-ndaj-prokurorit-te-kositeses-dhe-cadres/

Ndërsa, në nëntor 2016 filloi gjykimi ndaj Bajram Hamitagës së suspenduar nga detyra.

http://kallxo.com/prokurori-hamitaga-deklarohet-pafajshem/