Pamje nga takimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kryeprokurori i Pakënaqur me Punën e Gjykatave

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, deklaroi se nuk është i kënaqur me punën e gjykatave.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial ai tha se personalisht nuk është i kënaqur me vendimet e gjykatave.

Pavarësisht kësaj, ai tha se e vetmja formë për t’i ndryshuar këto vendime janë dorëzimi i ankesave nga prokurorët.

Lumezi i inkurajoi prokurorët që të bëjnë ankesa ndaj vendimeve të gjykatave pavarësisht se këto të fundit ua ulin vlerësimin për performancën.

Kryeprokurori i Shtetit theksoi se ka numër të vogël të ankesave që dorëzohen nga prokurorët ndaj vendimeve të gjykatave.
“Nëse i kemi 11% raste liruese, ne e kemi një udhëzim të ish-kryeprokurorit Kabashi që në aktgjykimet liruese prokurori patjetër duhet të ushtrojë të drejtën e ankesës”, deklaroi kryeprokurori duke iu referuar rasteve të personave të cilët lirohen me vendim të gjykatës.

Përveç kësaj ai tha se brenda Prokurorisë Speciale ka numër të vogël të urdhër-arresteve.

Lumezi tha se duke e ditur se Prokuroria Speciale merret me rastet si ato të krimeve të rënda e të krimeve të luftës prokurorët duhet të veprojnë duke dhënë më shumë urdhra për arrest.
Shihet që për 4 vite Prokuroria Speciale e Kosovës i ka akuzuar 612 persona ndërsa në anën tjetër vetëm për 116 persona ka kërkuar masën e caktimit të paraburgimit.
Kryeprokurori Lumezi pati mospajtime në lidhje me statistikat e paraqitur në hulumtimin e parë nga Ikranije Bojaxhiu.

Bojaxhiu u përgjigj se pjesë e rekomandimeve është edhe krijimi i një njësiti i cili do të merret me statistikat në mënyrë që ato të harmonizohen.

Bahri Hyseni një anëtar tjetër i KPK tha se viti 2016 është viti i efikasitetit për Këshillin Prokurorial dhe tregoi se në këtë vit janë kryer 104.44% e lëndëve.
Në këtë mbledhje janë shqyrtuar dhe analizuar: Hulumtimi lidhur me ngarkesën me lëndë për veprat penale karakteristike për vitet 2013-2016; Analiza për veprat penale karakteristike për vitet 2013- 2016, si dhe Raport i gjeografisë kriminale për vitet 2013-2016.