Kryeprokurori Lumezi Takohet me Kryeprokurorin e SHBA-së

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi me ftesë të Prokurorit të  Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Jeff Sessions, po merr pjesë në një tryezë të karakterit regjional e cila po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Përmes një njoftimi për media të Prokurorisë së Shtetit bëhet e ditur se kryeprokurori Lumezi ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga nga Departamenti i drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe  OPDAT.

Pjesëmarrës në këtë tryezë është Prokurori i Përgjithshëm i SHBA- ve z. Jeff Sessions, Kryeprokurorët dhe Drejtorët e Policive nga të gjitha shtetet e rajonit, si Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, fokus i diskutimeve të kësaj punëtorie janë temat si  Krimi transnacional, terrorizmi dhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar.

Gjatë zhvillimit të kësaj punëtorie, në njoftimin e Prokurorisë së shtetit bëhet e ditur se kryeprokurori Lumezi ka paraqitur të arriturat e Prokurorit të Shtetit në Kosovë.

“Në prezantimin e tij Kryeprokurori Lumezi, paraqiti të arriturat e Prokurorit të Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit, me ç ‘rast ai tregoj për përvojat e Kosovës në luftë kundër këtyre formave të krimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, Lumezi shprehi vendosmërinë e Kosovës për të kontribuuar  në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimeve trans-nacionale, dhe të bashkëpunoj me të gjitha shtetet e rajonit, por edhe me vendet tjera që mund të mos jenë fqinj në kufijtë gjeografik, siç janë SHBA-të dhe shtetet tjera, me qëllim që të shkëmbejmë informata dhe prova të mjaftueshme për ti vënë para përgjegjësisë penale kryerësit e këtyre veprave penale.