Kryeprokurori Kërkon Uljen e Kritereve për Prokurorë Specialë

Interesimi i ulët nga prokurorët për t’u bërë pjesë e Prokurorisë Speciale të Kosovës e ka shtyrë kryeprokurorin Aleksandër Lumezi që të kërkojë nga ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ndryshimin e kritereve për t’u bërë pjesë e kësaj Prokurorie.

Në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lumezi tha se i është drejtuar me një shkresë ministres së Drejtësisë duke kërkuar  zvogëlimin e kritereve në mënyrë që të kenë mundësi edhe personat e tjerë dhe jo vetëm ata që i kanë katër vjet shërbim në kuadër të Prokurorisë për krime të rënda dhe 6 vjet në kuadër të prokurorisë, por të kenë mundësi të konkurrojnë edhe gjyqtarët dhe të gjithë ata që kanë guxim të përballen me krimet më të rënda në Prokurorinë Speciale.

Kryeprokurori Lumezi njoftoi se përkundër se kërkoheshin 5 prokurorë për Prokurorinë Speciale, vetëm 3 kanë shprehur interesim.

Në mbledhjen e KPK-së të mbajtur më 13 janar ishte marrë vendim për shpalljen e konkursit për avancim të pesë prokurorëve në Prokurorinë Speciale si dhe për tre prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kriteret për t’u bërë pjesë e Prokurorisë Speciale të Kosovës përcaktohen në nenin 20 të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Prokuroritë e Shtetit.