Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Kryeprokurori: Gjykata Speciale Duhet të Funksionojë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi , konsideron se Gjykata Speciale që do të merret me krimet e luftës në Kosovë duhet të fillojë punën e saj.

Në intervistën ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Aleksandër Lumezi komentoi deklaratat publike që kanë kundërshtuar funksionalizimin e kësaj gjykate.

“Kemi parë deklarata të personaliteteve të larta shtetërore të cilët kanë theksuar se ndoshta nuk është e nevojshme që kjo gjykatë të funksionojë, mirëpo unë mendoj se vendimet që vijnë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe marrëveshjet që ratifikohen duhet edhe të zbatohen”, tha Lumezi.

Lumezi përballë Jeta Xharrës po ashtu theksoi se Gjykata Speciale nuk do të ndjekë vetëm shqiptarët, por të gjithë kryesit e krimeve të luftës në Kosovë.

“Unë mendoj që Gjykata Speciale është një trupë që do të merret kryesisht me rastet e krimeve të luftës që janë kryer në territorin e Republikës së Kosovës gjatë viteve 1998-2000, por siq e keni dëgjuar edhe kryetaren e kësaj gjykate, subjekt i këtyre hetimeve do të jenë edhe shqiptarët por edhe shtetasit tjerë, të cilët kanë jetuar në territorin e Republikës së Kosovës dhe për të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit në këtë intervistë flet edhe për hetimet e zyrtarëve të lartë dhe dyshimet e ngritura mbi autenticitetin e provimit të tij të jurisprudencës.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: