Fotografi nga përurimi në Ferizaj. Foto: Komuna e Ferizajt

Kryeministri Përuron Projektin 3 Milionësh në Ferizaj

Kryeministri këtë projekt e ka cilësuar si njërin ndër projektet më të rëndësishme që po bëhet në këtë qytet dhe, sipas tij, Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që të krijojë një infrastrukturë moderne për të gjithë qytetarët e saj.

“Është më rëndësi themelore që qyteteve të mëdha t’ju krijojmë kushte dhe një komunikacion më të mirë të qarkullimit. Kemi një situatë që qytetet janë ndërtuar atëherë kur është planifikuar që do të ketë më pak banorë, me pak ndërtesa, dhe më pak qarkullim, ndërkaq tani sidomos Ferizaj është zhvilluar shumë dhe ka qenë e nevojshme që të krijohet kjo unazë në mënyrë që të parandalohet tollovia shumë e madhe në qytete, në mënyrë që qyteti të jetë më i lirë, ndërkaq transporti të zhvillohet në mënyrë normale. Ne do të bëjmë përpjekje që edhe në qytete tjera të aplikojmë këtë model në mënyrë që t’i qarkullimi të jetë më i lehtë”, tha Mustafa.

Të pranishëm në inaugurimin e këtyre punimeve ishte edhe Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe Kryetari i Komunës së Ferizaj, Muharrem Sfarqa.

Kryetari i Komunës së Ferizaj, Muharrem Sfarqa, është shprehur i kënaqur lidhur me këtë projekt, ai tha se ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme që po investon Qeveria e Kosovës dhe është rrugë që do të ndërtohet me të gjitha standardet.

“Është një projekt për të cilin ne kemi folur në dy tri vitet e fundit, por që nga sot po bëhet realitet falë investimeve që po vinë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Infrastrukturës”, u shpreh Sfarqa.

Ai po ashtu tha se investime të tilla nga ana e Qeverisë së Kosovës i kanë munguar qytetit të Ferizaj që nga pas lufta.