Isa Mustafa | Foto: Facebook

Kryeministri Liston Sukseset e ‘Qeverisë së Vendimeve të Mëdha’

Si të arriturën e parë, Kryeministri shkruan se “e mundëm dhunën dhe përpjekjet për instalim të rrënimit të pushtetit demokratik me dhunë, të paparë jo vetëm në Ballkan por edhe në demokracitë tjera”.

Ai ka renditur si të arritura edhe forcimin e marrëdhënieve me BE-në; nënshkrimin e MSA-së dhe plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave.

Kryeministri vazhdon me listën e sukseseve, duke përmendur “stabilitetin e plotë buxhetor e makroekonomik, me rritje të vazhdueshme reale ekonomike dhe ulje të normës së papunësisë”.

Ai thotë se treguan se dinë t’i dalin zot vendit në të gjitha pjesët e tij, pa marrë parasysh provokimet.  “Forcuam shtetin ligjor, luftuam korrupsionin, ekstremizmin dhe terrorizmin”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

“Shprehëm gatishmërinë e përhershme që me opozitën të gjejmë zgjidhje për çështjet me interes nacional të vendit”, ka shkruar po ashtu ai.

Por, Mustafa ka shkruar se Qeveria e koalicionit ka edhe sfida, por jo të pakapërcyeshme, sikur transformimi i FSK-së, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dy nga këto sfida ndërlidhen me integrimin e serbëve në institucione, kurse demarkacioni i kufirit është çështje e përgjegjësisë së shumicës, tani kur gjërat janë sqaruar përfundimisht”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, Kryeministri ka thënë se kjo është Qeveri e vendimeve të mëdha dhe e reformave të mëdha, që sipas tij nuk janë populliste por japin rezultate më vonë.

“Ne nuk do të dorëzohemi para reformave dhe vendimeve të mëdha, sado të vështira të jenë ato. Ndërmjet interesave afatshkurtra që ndërlidhen me votat dhe interesave të shtetit unë do të zgjedh këtë të dytën”, ka theksuar Isa Mustafa.