Mbledhja e qeverisë | Foto: KALLXO.com

Kryeministri Liron nga Detyra Ministrat e Zgjedhur Deputetë

Këtë vendim, sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Mustafa e ka marrë për shkak të papajtueshmërisë së përcaktuar nga Kushtetuta.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa ka marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të deritashëm të kabinetit, përkatësisht të zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, si dhe ministrave Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami, Rasim Demiri, Kujtim Shala dhe Arban Abrashi.

“Vendimi është marrë në përputhje me Nenin 72 të Kushtetutës, i cili përcakton papajtueshmërinë, sipas të cilit, “Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj””, thuhet në njoftim.

Kryeministri Isa Mustafa, në ditët në vijim, do të marrë vendim lidhur me personat që do të kryejnë këto detyra, deri në dorëzimin e mandatit qeverisë së ardhshme.

Këta ministra janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, të cilat u mbajtën pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 10 maj si rezultat i rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa të njëjtën ditë.

Seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit mbahet nesër.