Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Kryeministri, letër redaktorëve të mediave për vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se u ka shkruare një letër redaktorëve të mediave kosovare për të kërkuar nga ta, siç tha ai, ndihmë në procesin e liberalizimit të vizave.

Haradinaj nuk shpalosi detaje për përmbajtjen e kësaj letre, por tha se shpreson që kjo letër “të kuptohet drejt”.

“Unë e kam ndërmarrë edhe një veprim, shpresoj që do të kuptohem drejt, u kam dërgu edhe një letër redaktorëve të mediave, krejt redaktorëve të mediave, kam kërku që rrugëtimin tonë deri në liberalizim ta ndihmojmë që të gjithë, sepse është edhe një pjesë e mbetur e rrugës tonë, për hir të qytetarëve tanë për të drejtën për lëvizje të lirë” tha kryeministri Haradinaj.

Kosova është vendi i vetëm në rajon qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin në vendet e zonës Shëngen pa u pajisur me vizë.

Ratifikimi i demarkacionit në fund të muajit të kaluar ka nxjerrë tash në qendër të vëmendjes së Komisionit Europian kushtin tjetër të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.