Kryeministri 'Korrigjon’ Veten

Reagimet e ashpra të shoqërisë civile, mediave e të qytetarëve, kanë shtyrë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ta korrigjojë gjatë natës atë që kishte postuar të shtunën në llogarinë e tij në “Facebook”.

Disa orë pas postimit të parë, të shtunën në mesditë, kur kishte kritikuar njerëzit që po e përkrahnin idenë për një peticion në rrjetin social “Facebook”, i cili kërkonte largimin nga vendi të ambasadorit amerikan Greg Delawie, i pari i Qeverisë e ka edituar postimin e tij, duke e hequr krejtësisht adresimin të cilësuar seksist e ofendues ndaj grave.

“Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po i braktisin burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist, mos po turren kah lindja”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Mustafa në postimin e parë.

Pas reagimeve të shumta, kryeministri ka fshirë pjesën ku u adresohet grave. Ai ka hequr emrin “gra” dhe fjalinë “e mos po i braktisin burrat e tyre”.

Postimi i parë i kryeministrit Isa Mustafa.
Postimi i parë i kryeministrit Isa Mustafa.

Kjo është pjesa e edituar e citatit kontrovers: “ Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po braktisin Kosovën e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist, mos po turren kah lindja”.

Postimi i korrigjuar i kryeministrit Isa Mustafa
Postimi i korrigjuar i kryeministrit Isa Mustafa