Kryeministri-Fjalë të Rënda për Deputetët Bojkotues

Mustafa shkroi sot në Facebook se mendoi që këta deputetë u kidnapuan në çadrat e opozitës.

“ Frikohesha se janë zënë peng në çadrat e VV. Por, jo! Dikush më tha se i kanë frikësuar, e tjetri se kanë fluturuar, me marrë udhëzime në çadrat e verës australiane. Kryesorja që janë gjallë! Ata që e respektuan votën e qytetarëve ishin në Parlament. Nuk u frikësuan,” shkroi Kryeministri në profilin e tij zyrtar.

Hatim Baxhaku, njëri nga pesë deputetët e LDK-së që nuk ishte dje në Kuvend kur u zgjodh Thaçi President, deklaroi për KALLXO.com se dëshiron të besojë që këto fjalë nuk janë të Kryeministrit.

“Kjo deklaratë mendoj që është e pamatur…Unë nuk dua të besoj dhe nuk besoj që kryetari po mendon ashtu. Unë mendoj që e ka pasë ndonjë këshilltar që gabimisht e ka këshillu për momentin edhe e ka zanë kryetarin në pozitë të papërgatitur që e ka pranuar një këshillë të tillë,” thotë deputeti Baxhaku.

Mustafa kishte mbyllur llogarinë e tij në Facebook në muajin tetor të vitit 2015 me arsyetimin se ndaj profilit të tij po kryheshin shumë sulme.

Ai e rihapi profilin më 4 shkurt të këtij viti, ngase tha se shumë njerëz ia kërkojnë këtë. Por para pak ditësh gratë u ndjenë të fyera nga një postim i tij që më pas u ndryshua.

http://kallxo.com/kthimi-ne-facebook-para-dites-se-pavaresise/

Përveç Baxhakut, dje seancën e zgjedhjes së kryetarit të Kosovës e bojkotuan edhe Anton Quni, Vjosa Osmani, Shpejtim Bulliqi e Adem Salihaj të LDK-së dhe Gëzim Kelmendi, deputet pa grup parlamentar.

isa

Postimi i Mustafës solli edhe reagimin po në Facebook të Adem Salihajt njërit nga deputetët që mungoi.

“Dje, kur po mbahej seanca e zgjedhjes së Thaçit president,disa nga ne deputetët nuk ishim aty,sepse na thirri ndërgjegjja jonë dhe zëri e elektoratit të LDK-së,të cilit i ishim betuar sa e sa herë se kurrë nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në dhe kurrë nuk nuk do ta votojmë Thaçin president,” shkroi Salihaj.

KALLXO.com e pyeti edhe deputetin Shpejtim Bulliqi në lidhje me postimin e Mustafës, por Bulliqi tha se së shpejti këtë gjë do ta komentojë në rrjete sociale.

Por në Facebook Bulliqi iu drejtua vetëm atyre që e zgjodhën deputet, pa përmendur kryetarin e LDK-së dhe Kryeministrin Mustafa.

“Shfrytëzoj rastin të ju falënderoj dhe njëherë, të ju garantoj se gjithnjë do të respektoj vullnetin tuaj, dhe asnjëherë atë të individëve apo grupeve të interesit për të ruajtur benifitet e tyre në dëm të Kosovës,” shkroi Bulliqi.

KALLXO.com kontaktoi edhe deputetët bojkotues të seancës Vjosa Osmanin e Anton Qunin, por e pati të pamundur të bisedojë me ta.

Mbrëmë Hashim Thaçi u zgjodh President i Kosovës në raundin tretë me 71 vota për, asnjë kundër, përderisa 10 fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Zgjedhja e Thaçit President ishte njëra nga pikat e marrëveshjes së koalicionit qeveritar mes PDK-së e LDK-së.

http://kallxo.com/ja-marreveshja-e-plote-pdk-ldk-dokument/

Por Thaçi nuk e pati të lehtë zgjedhjen. Në raundin e parë sipas komisionit që mbikëqyri votimin dhe numërimin, Thaçi fitoi 50 vota, kundërkaandidati i tij Rafet Rama 4, ndërsa 27 u shpallën të pavlefshme.

KALLXO.com me kamera dhe me vëmendje ndoqi këtë votim dhe konstatoi se në këtë raund u gabua për një votë në favor të Thaçit.

http://kallxo.com/numerim-i-gabuar-i-votave-per-president/

Në raundin e dytë të votimit Thaçi mori 64 vota, Rama vetëm 2, ndërsa 15 fletëvotime u shpallën të pavlefshme. Në këta dy raunde atij i duheshin 80 vota për të qenë President.

Deputeti i LDK-së Hatim Baxhaku e sheh me dyshim këtë ndryshim votimi nga raundi i parë në të dytin dhe të tretin.

“Herën e parë me siguri kanë dashtë me e tregu se nuk pajtohen me zgjedhjen e tij, ndërsa herën e fundit  kanë dashtë me tregu se janë të detyruar prej situatës që të kalojnë disa procese, unë mendoj kështu,” thotë Baxhaku.

Adem Salihaj në postimin e tij në Facebook ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Kur rezultati nuk po shkonte në favor të zgjedhjes së Thaçit president… përnjëherë u zbraz salla e kuvendit dhe nuk mbeti asnjë deputet aty. Ku shkuan, ku i dërguan, a i zuri peng SHIK-u diku në një skutë të kuvendit… Megjithatë, në fund u kthyen, ndonëse me fytyra të zbehura. E votuan Thaçin me shumicë dërmuese votash,” shkroi Salihaj.

Votimin e kolegëve të tij nga LDK-ja për Thaçin President dje e komentoi për KALLXO.com edhe Shpejtim Bulliqi.

“Le t’i vrajë ndërgjegjja ata deputetë të LDK-së që kanë qenë shumë të zëshëm dhe që me çdo kusht tentuan ta rrejnë elektoratin LDK-së dhe i mbetet elektoratit që në të ardhmen ta vlerësojë se nga do ta orientojë votën e vet,” tha Bulliqi.

http://kallxo.com/deputeti-i-ldk-se-mallkon-koleget/