Takimi i Mustafës me zyrtarë të AKP-së | Foto: KALLXO.com

Kryeministri: Do e Zëvendësojmë Importin me Eksport

Isa Mustafa ka vizituar sot Agjencinë Kosovare të Privatizimit për t’u njoftuar për asetet që i posedon kjo agjenci, e të cilat në të ardhmen mund të jenë pika kyçe ku investitorët e huaj apo të brendshëm mund të investojnë.

Drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari ia ka paraqitur në detaje Kryeministrit Mustafa, asetet në të cilat mund të investohet, duke përmendur Hotelin “Grand”, minierat e Goleshit dhe Strezovcit, kompleksin e Inex-it në Brezovicë, Damperin në Suharekë si dhe pasuritë tokësore të cilat mund të shfrytëzohen për bujqësi.

Ndërsa vetë Mustafa ka kërkuar që këto asete që deri tash kanë qenë të fjetura, të ringjallen përmes investitorëve.

“Qëllimi i ardhjes sonë sot këtu, ishte që ne t’i identifikojmë pasuritë me të cilat qeverisë AKP-ja  dhe të cilat ne mund t’i orientojmë si pasuri potenciale për investitorët strategjikë”, tha në mes tjerash Kryeministri Mustafa.

Dy ditë më parë në komisionin ndërministror u paraqit plani i kompanisë turke “ESAN” për investime në fushat e minierave dhe mineraleve.

http://kallxo.com/kompania-turke-paralajmeron-1-mije-vende-pune/

AKP-ja dhe Qeveria u dakorduan që të takohen me asociacionet e bizneseve vendore dhe të huaja, me përfaqësues ekonomikë e diplomatikë që janë në Kosovë, në mënyrë që t’i njoftojnë me pasuritë që ka Kosova.

“Ne jemi të interesuar që të gjitha potencialet e fjetura ekonomike, t’i aktivizojmë në funksion të prodhimit vendor dhe zhvillimit ekonomik, në zëvendësim të importit me eksport”, tha kreu i qeverisë Isa Mustafa.

KALLXO.com vazhdimisht ka shkruar për bilancin negativ tregtar të Kosovës.

Mustafa shtoi se deri në fund të muajit prill do të bëhet studimi i fizibilitetit i cili do të tregojë se çka do të ndodhë me fazat e tjera të Trepçës.

Gjatë prezantimit për punën e AKP-së, drejtori menaxhues, Ekrem Hajdari tregoi se gjatë 2016-ës, 11 mijë punëtorë të 93 ndërmarrjeve kanë marrë 5 milion e728 mijë e 413, nga 20 përqindëshi që atyre u takon me ligj pas privatizimit.

Sipas tij, gjatë 2016-ës, janë liruar 114 asete të uzurpuara, ndërsa që nga nëntori i 2014-ës janë liruar gjithsej 438 asete të uzurpuara.

Ai e ka njoftuar Kryeministrin edhe për 57 asete tjera të cilat janë ende të uzurpuara, ku 25 prej tyre gjenden në veri të vendit.