Kreu i Gjykatës Penale të Shkupit, Vladimir Pançevski- Foto: osskopje1

Kryegjykatësi Mohon të Ketë Ushtruar Presion Ndaj Kolegut

Kreu i Gjykatës Penale të Shkupit, Vladimir Pançevski, i cili është përfshirë në një polemikë pas akuzave se ka penguar punën e Prokurorisë Speciale, SJO, shprehu befasi të enjten me pretendimet se ai mund të jetë paditur nga një tjetër gjykatës për ushtrim të presionit ndaj tij.

“Nuk di ndonjë arsye për një gjë të tillë dhe nuk besoj se akuzat drejtohen ndaj meje”, tha Pançevski për “Tv NOVA” të enjten, duke iu referuar lajmit se një gjykatës i lartë anonim po paditej për presion ndaj një kolegu.

Ai shtoi se ai nuk mbante mend t’i kishte ushtruar presion ndonjë kolegu për të marrë vendime të caktuara për paraburgimin e të dyshuarve.

Pançevski u përgjigj pasi një gjykatës nga e njëjta gjykatë, gjykatësi Ilija Dzolev tha se kishte ngritur akuza kundër një kolegu për përdorim të ndikimit mbi punën e tij.

“Për shkak të ndjeshmërisë së situatës, nuk do ta zbuloj identitetin apo inicialet e gjykatësit ndaj të cilit po ngre akuza”, shkroi Dzolev.

“Por publiku duhet ta dijë se akuzat i referohen një akti kriminal, të lidhur me ndërhyrjen e një gjykatësi për të bërë veprime të paligjshme”, shtoi ai.

Sipas ligjit, një krim i tillë është i ndëshkueshëm deri me pesë vjet burg.

Vitin e shkuar, që kur SJO u ngrit për të hetuar pretendimet për korrupsion të nivelit të lartë, Pançevski u akuzua për ndjekje të urdhrave nga politikanët e lartë për të penguar punën e SJO. Ai i ka mohuar akuzat.

Megjithatë, gjykata që ai kryeson vitin e shkuar i ka mohuar pothuajse të gjitha kërkesat nga SJO për të paraburgosur dhe siguruar praninë në gjykatë të të dyshuarve.

Gjithashtu ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e SJO për mandate kërkimi dhe për përjashtim nga çështjet e SJO të gjykatësve të implikuar në përgjimet e opozitës – materiali kryesor i akuzave për korrupsion në qeveri.

Në korrik, Komiteti Maqedonas i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut publikoi të dhëna ku sipas tij tregohej se gjykata ndoqi standarde të dyfishta në lidhje me kërkesat e SJO.

Të dhënat tregonin se vitin e shkuar gjykata kishte pranuar vetëm 5 për qind të kërkesave të SJO për paraburgim dhe masa të tjera ndaj të dyshuarve.

Nga ana tjetër, nga 2012 deri në 2014, e njëjta gjykatë pranoi 98.6 për qind të kërkesave që vinin nga Prokuroria e Përgjithshme, theksoi Komiteti i Helsinkit.

Ndërkohë, gjatë muajve të fundit, media lokale ka cituar burime anonime nga gjyqësori të kenë thënë se presioni është rritur mbi gjykatësit e Gjykatës Penale për të vepruar në mënyra të caktuara në disa çështje. Presioni i dyshuar përfshin udhëzime me shkrim të dhëna ndaj gjykatësve.