Nga një mbledhje e Kuvendit Komunal të Prishtinës - Foto: Facebook

Kryeasamblisti i LDK-së: Nepotizëm në Qeverinë e Prishtinës

Duke bërë të ditur se qeverisja komunale në Prishtinë dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti nuk ua kanë vazhduar mandatin drejtueseve të institucioneve parashkollore në Prishtinë, Agim Gashi, shef i grupit të këshiltarëve të LDK-së në kryeqytet, tha se në këto institucione janë punësuar militantë dhe familjarë të aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

“Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ia perkujton kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti, se dikur ai zotohej se do të luftoj nepotizmin dhe do të bëjë departizimin e institucioneve edukativo – arsimore, por sot po ndodhë e kundërta,” tha Gashi në një reagim për medie.

Sipas Gashit 95 për qind të të përzgjedhurve nga Komuna e Prishtinës “janë anëtarë dhe militantë të Lëvizjes Vetvendosje, ose të afërm të tyre”.

Gashi në emër të LDK-së në Prishtinë tha se Shpend Ahmeti po bën diskriminim kadrovik.

“Grupi parlamentar i LDK-së dëshiron të njoftojë opinionin se politikat diskriminuese kadrovike që po ndjek Shpend Ahmeti kanë instaluar metodologjinë e eliminimit duke e keqpërdorur instrumentin e konkursit dhe duke bërë vazhdimisht shkelje proceduarale gjatë përzgjedhjeve kadrovike,” deklaroi Gashi.

Edhe pse nuk u përgjigj konkretisht ndaj akuzave të sotme të Gashit, në një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, akuzave të Gashit iu përgjigj me kundërakuza.

Ahmeti akuzoi Gashin për kërcënim të disa qytetarëve që morën pjesë në një tubim të “Vetëvendosjes”.

“Nuk po guxokan njerëzit me ardh në tubime të VV sepse keshilltari i Ministrit po i kërcënon? Me bukën e moçme, po vazhdon me kokëfortësi,” shkroi Ahmeti.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës shumicën e asamblistëve e kanë partitë opozitare LDK e PDK, ndërsa mbledhjet e kësaj asambleje shumë rrallë përfundojnë pa fërkime.

http://kallxo.com/shpend-ahmetit-i-deshton-votimi-per-lagjen-kalabria/

http://kallxo.com/pdk-ja-komuna-e-prishtines-puneson-militante-te-vv-se/