Franjo Tuxhman, presidenti i parë kroat i zgjedhur në mënyrë demokratike, ishte figurë kyçe në ngjarjet që çuan në pavarësimin e Kroacisë.

Kroacia Shënon 26-Vjetorin e Shkëputjes nga Jugosllavia

Kroacia shënon sot 26 vjetorin e vendimit të Parlamentit të kësaj republike për të shkëputur të gjitha lidhjet me Jugosllavinë.

Në takimin e 8 tetorit 1991 u konfirmua Deklarata e Pavarësisë nga Jugosllavia, e miratuar nga Parlamenti më 25 qershor 1991.

Pas bombardimeve në qytetin e Zagrebit dhe të zyrës së presidentit Franjo Tuxhman nga avionët e ushtrisë jugosllave më 7 tetor, Parlamenti vendosi të mblidhej në mënyrë të fshehtë në sallën e konferencave të kompanisë energjetike INA në Zagreb.

Kështu, Parlamenti kishte ndërprerë të gjitha lidhjet shtetërore dhe ligjore me republikat e tjera dhe krahinat e Jugosllavisë, duke konfirmuar vendimin e marrë më 25 qershor, por të cilin Kroacia nën presion kishte rënë dakord ta vinte në moratorium tremuajsh.

“Kundër Republikës së Kroacisë është kryer agresion i armatosur nga Republika e Serbisë dhe e ashtuquajtura APJ (Armata Popullore Jugosllave). Republika e Kroacisë është e detyruar të mbrohet me të gjitha mjetet e disponueshme. E ashtuquajtura APJ shpallet agresor, ushtri pushtuese, dhe pa vonesë duhet të largohet nga territori kroat, i cili përkohësisht është pushtuar”, thuhej në vendim.

“Të gjitha vendet, veçanërisht anëtarët e Komunitetit Europian dhe Kombet e Bashkuara, ftohen të krijojnë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kroacisë”, përfundoi ai.

Njohja e plotë ndërkombëtare e Kroacisë ndodhi në janar 1992, pasi Gjermania paralajmëroi vendet e tjera të BE se kishte për qëllim njohjen e shtetit të ri.

Pavarësia ndodhi pas formimit të Qeverisë së parë multipartiake në republikë që nga Lufta e Dytë Botërore në maj 1990.

Kjo pastaj miratoi një kushtetutë të re në dhjetor 1990.

Situata në republikë u përkeqësua me shpejtësi në verën e vitit 1991, meqë konflikti i armatosur shpërtheu mes forcave kroate dhe serbëve kroatë, të cilët e kundërshtonin pavarësimin e republikës.

Lufta përfundoi më 1995 kur ushtria kroate e pajisur me shpejtësi rimori kontrollin mbi territorin e humbur në një sërë sulmesh të lehta.