Qeveritarë kroatë nderuan viktimat e regjimeve totalitare dhe komuniste në vend. Foto: Qeveria Kroate

Kroacia Nderon Viktimat e Regjimeve Totalitare

Zyrtarët kroatë shënuan Ditën Europiane të Përkujtimit të të gjitha viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, duke vizituar vendet e ish-kampeve dhe zonave të vrasjeve të Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës komuniste të pasluftës.

Të udhëhequr nga kryeministri Andrej Plenkoviç, ata vendosën kurora dhe qirinj në memorialin e viktimave të luftës për pavarësi të viteve 1990 në varrezën kryesore të Zagrebit në Mirogoj.

Delegacioni qeveritar gjithashtu respektoi varrin e presidentit të parë kroat, Franjo Tuxhman.

“Zbardhja e të vërtetës, dënimi i shkeljeve sistematike të të drejtave themelore të njeriut për viktimat dhe familjet e tyre janë kushte të rëndësishme për pajtimin me të kaluarën, për të cilën shoqëria kroate nuk ka alternativë”, tha Plenkoviç pas ceremonisë.

“Vetëm duke u distancuar qartazi nga totalitarizmi, duke respektuar viktimat e tij dhe duke edukuar brezat e rinj, mund të ndërtojmë një shoqëri pa ndarje ideologjike dhe sociale, për t’u përqendruar plotësisht në sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Kroacia në shekullin 21”, tha ai.

Plenkoviç shtoi se Këshilli i ri për Trajtimin e Pasojave të Sundimit të Regjimeve Jodemokratike u krijua në mars për këtë qëllim.

Puna e Këshillit që po merret me pasojat e regjimit fashist të kohës së luftës dhe Jugosllavisë komuniste është në analizë, pasi qëllimet e tij mbeten të paqarta.

I pyetur për pllakën që përmban sloganin fashist të ustashëve “Za dom spremni” – dhe nëse do të hiqet nga komuna e Jasenovcit – pranë vendndodhjes së kampit famëkeq të përqendrimit të ustashëve- Plenkoviç shtoi se Qeveria ishte në pritje të një zgjidhje nga Ministria e Administratës Shtetërore mbi këtë çështje.

Në përkujtimin e viktimave në Jasenovç, ministrja e Kulturës Nina Obuljen Korzinek vizitoi të mërkurën vendin e ish-kampit të vdekjes.

Njëkohësisht, ministri i Veteranëve të Luftës Toma Medved vizitoi Maceljin, në Kroacinë veriore, ku partizanët të udhëhequr nga komunistët ekzekutuan mbi 1,100 persona në maj të vitit 1945.

Një delegacion parlamentar, i udhëhequr nga Gordan Jandrokoviç, vizitoi të mërkurën vendet e ish kampeve të burgjeve të drejtuara nga komunistët në ishujt Goli Otok dhe Sveti Grgur në bregdetin verior të Adriatikut.

Goli Otok dhe Sveti Grgur shërbyen si kampe burgimi për përkrahësit e dyshuar të udhëheqësit sovjetik Josef Stalin midis viteve 1949 dhe 1956, pas ndarjes së Jugosllavisë me Moskën.

Goli Otok mbante rreth 16,500 njerëz, nga të cilët 413 vdiqën. Ata u vranë nga rojet dhe të burgosurit e tjerë ose vdiqën për shkak të kushteve të këqija ose si pasojë e vetëvrasjes.

Në përkujtim, Jandrokoviç deklaroi se personat që u burgosën dhe vdiqën në Goli Otok dhe Sveti Grgur u dërguan atje se i përkisnin ose kombit, besimit ose politikave të gabuara.

Jandrokoviç dhe delegacioni dhanë nderimet e tyre te memorialet e të dy ishujve dhe e përfunduan ceremoninë e përkujtimit duke parë një dokumentar mbi Goli Otok.

Parlamenti Europian krijoi një ditë për përkujtimin e viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare në vitin 2008 – e cila mori fillimisht emrin Dita Europiane e Kujtimit për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit.

Ajo pasoi një Rezolutë të Këshillit të Europës në vitin 2006, ku dënoheshin krimet e regjimeve totalitare komuniste, e miratuar në 99 nga 317 vende anëtare – kryesisht nga shtetet baltike, Republika Çeke dhe Hungaria.