Kroacia Kërcënon Ta Arrestojë Sheshelin

Sheshel, i cili thotë se i është dhënë pasaportë diplomatike serbe planifikon ta vizitojë Kroacinë.

Duke iu përgjigjur njoftimit të liderit të Partisë Radikale Serbe dhe ish të pandehurit për krime lufte se i është dhënë pasaportë diplomatike, Kryeministri në ikje i Kroacisë Tihomir Oreskoviq tha të martën që nëse Sheshel provon të hyjë në Kroaci, do të arrestohet.

“Vojisllav Sheshel është person non grata në Kroaci. Ai nuk është i mirëpritur këtu. Nëse vjen, ai do të arrestohet, “ i tha Oreskoviq portalit të lajmeve Index.hr

Shesheli tha të martën se i është lëshuar pasaportë diplomatike si deputet serb dhe ai do të “vijë në Zagreb së shpejti.

“Shpresoj që unë si një diplomat serb me reputacion nuk do të kem asnjë problem me autoritetet ktroate,” shkroi Sheshel në Twitter.

Ai aty postoi edhe fotografinë e pasaportës diplomatike. Dokumenti e përshkruan Sheshelin si një “përfaqësues të popullit në Asamblenë Kombëtare të Serbisë”, ndërsa në të shkruan se është lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Por, Ministria e Jashtme ende nuk e ka konfirmuar se i lëshoi pasaportë Sheshelit, edhe pse edhe pse anëtarët e parlamentit në Serbi kanë të drejtë për pasaportat diplomatike.

Tribunali i Hagës e liroi Sheshelin në mars për kryerje të krimeve kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konflikteve të viteve 1990 në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, por prokuroria ka njoftuar se do të apelojë vendimin.

Shfajësimi i tij shkaktoi reagime plot zemërim në Kroaci dhe shkaktoi një shkëmbim fjalësh të ashpra midis zyrtarëve nga Zagrebi dhe Beogradi.

Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviq i bëri  thirrje sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon që vendimi të zhbëhet.

Shumë grupe të të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë ndërkombëtarë, përfshirë Shoqatën e Avokatëve Ndërkombëtare, e vunë në pikëpyetje vendimin.

Prokuroria e Tribunalit të Hagës i kërkoi Dhomës së Apelit të Gjykatës së OKB-së për ta kthyer mbrapsht vendimin për lirimin e Sheshelit për të korrigjuar ato që pretendon se ishin gabime në vendim dhe ta dënojë politikanin nacionalist, ose ta kthejë rastin në rigjykim.