Udhëheqja politike kroate gjatë intonimit të himnit kroat dhe ngritjes së flamurit – Foto: Anadolu Agency/Stipe Majic.

Kroacia Feston Fitoren e Operacionit ‘Stuhia’

Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, kryeministri Andrej Plenkoviç dhe kryetari i Parlamentit Gordan Jandrokoviç vunë kurora dhe bën nderime te monumenti kushtuar fitores në sheshin qendror të Kninit.

Grabar Kitaroviç tha se Kroacia shpreson që një ditë edhe serbët do të festojnë “Stuhinë” si operacion që “i dha fund agresionit serbomadh”.

“Sa i përket Kroacisë, na vjen keq për çdo jetë, si serb dhe kroat, dhe për të gjithë ata që kanë vdekur gjatë “Stuhisë” dhe Luftës për Atdheun (lufta e Kroacisë në vitet 1990),” tha ajo.

Grabar Kitaroviç arriti në përfundimin se ajo pajtohet me kryebashkiakun e Kninit Marko Jeliq, i cili tha se zyrtarët duhet të kenë respekt për viktimat serbe të operacionit – disa qindra prej tyre vdiqën gjatë dhe pas operacionit “Stuhia”.

Në fjalimin e tij, Plenkoviç tha se Stuhia pengoi një gjenocid të mundshëm që po kryhej në qytetin boshnjak të Bihaqit, i cili në atë kohë ishte i rrethuar nga forcat serbe.

“Stuhia pengoi një tjetër Srebrenicë. Ajo do të mbahet mend si fitorja më e madhe në historinë e Kroacisë,” tha ai.

Plenkoviç shpjegoi se Kroacia po kërkonte “demokraci dhe pavarësi” ndërsa u përball me “agresion brutal” të regjimit serb të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq.

Ai shtoi se pa operacionin “Stuhia” nuk do të ishte kjo Kroaci, anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Parada ushtarake në Knin. Foto: Anadolu Agency/Stipe Majic.

Festimi filloi në mëngjes me një orkestër ushtarake që luajti këngë kroate patriotike në Kështjellën e Kninit, me pamje nga qyteti.

Veteranët e luftës kroate të viteve 1990 me motoçikleta si dhe ushtarët që përfaqësonin të gjitha trupat që morën pjesë në operacionin “Stuhia” bënë paradë përmes qendrës së qytetit.

Aeroplanë ushtarakë bënë akrobacione ajrore ndërsa helikopterët luftarakë Kiowa u shfaqën për herë të parë në publik që kur u blenë nga ShBA vitin e kaluar.

Ceremonia përfshinte ngritjen tradicionale të flamurit kroat në Kështjellën e Kninit – si ushtarët më 5 gusht 1995 – dhe intonimin e himnit kombëtar.

Ngjarja qendrore e këtij viti u zhvillua në kështjellë, në vend të sheshit qendror, të cilin disa kritikë e shihnin si një mënyrë për politikanët që të shmangnin shprehjet e mundshme të pakënaqësisë nga publiku, pasi një numër më i vogël njerëzish mund të futeshin në fortesë.

Helikopterët luftarakë Kiowa fluturojnë mbi Knin. Foto: Anadolu Agency/Stipe Majic.