Stanishiq dhe Simatoviq në sallën e gjyqit. Foto: MICT.

Kroacia Ende Kërkon të Zhdukurit e Luftës

Visnja Biliq, e cila merret me çështjet e personave të zhdukur në Ministrinë e Veteranëve të Luftës në Kroaci, tha në gjyqin e Jovica Stanisiqit dhe Franko Simatoviqit në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë të mërkurën se shumica e 929 personave që rezultojnë ende të zhdukur nga lufta në Kroaci u zhdukën në vitin 1991.

Gjatë dëshmisë së saj, Biliq ofroi shembuj të individëve që u zhdukën në disa vende në Kroaci të cilat përmenden si skena krimi në padinë kundër Stanisiqit dhe Simatoviqit.

Trupi i Ernest Bacos, një ish-banor i fshatit Dalj në Sllavoninë Lindore, i cili u zhduk në verën e vitit 1991, u gjet në Novi Sad në Serbi në vitin 2002, tha Biliq.

Sipas akuzave, forcat nën kontrollin e sigurimit serb të shtetit sulmuan dhe pushtuan Daljin në verën e vitit 1991, duke persekutuar, vrarë dhe plaçkitur popullsinë joserbe.

Duke folur për pasojat e sulmit të forcave serbe në fshatin Saborsko në zonën e Likës në vjeshtën e vitit 1991, Biliq tha se ajo mori pjesë në një zhvarrim nga një varr masiv në fshat pas luftës.

Biliq dëshmoi se shumica e viktimave ishin më shumë se 60 vjeç dhe ishin gjetur në rrënojat e shtëpive të tyre.

Dëshmitarë të prokurorisë më parë kanë thënë se krimet në Saborsko u kryen nga forcat territoriale serbe të mbrojtjes, policia e Krajinës dhe njësia “Beretat e Kuqe”, e cila, sipas akuzave, ishte nën kontrollin e sigurimit serb të shtetit.

Stanisiqi dhe Simatoviqi po rigjykohen për persekutim, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq që synonte dëbimin me dhunë dhe të përhershëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës për të arritur dominim serb.

Stanisiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar, pasi Apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Biliq do të merret në pyetje nga mbrojtja të enjten.