Tryeza e Vetëvendosjes rreth transformimit të FSK-së - Foto: KALLXO.com

Kritikohet Projektligji për Ushtrinë

Projektligji i propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për forcimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka marrë kritika në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri tha se Kosova ka pasur mundësi më të madhe të krijojë ushtri para pavarësisë sesa tani.

“Prej se është çliruar Kosova, çështja e themelimit te ushtrisë është diskutuar. Sa ma shumë i jemi afruar shpalljes së Pavarësisë aq më larg e kemi pasë themelimin e ushtrisë. Më shumë kemi pasë ushtri kur kemi qenë në kohë lufte sesa tash. Ky është paradoksi një”, tha Ymeri.

Ai tha se me Planin e Ahtisaarit, forcat ushtarake të Kosovës u shuan dhe njohja ndodhi me kusht që ushtria nuk do ta mbrojë sovranitetin e Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se në vitin 2014 në Kuvend është sjell Projektligji për ushtrinë përmes një pazari.

“Edhe atëherë Projektligjit për ushtri u  soll në Kuvend para përfundimit të mandatit. U soll përmes një pazari sepse e cenonte sovranitetin e vendit. Atëbotë, Vetëvendosje ka insistuar që të sjellin amandamente por ishim kundër kërkesës për vende të rezervuara për minoritete”, deklaroi ai.

Lideri i VV-së kritikoi presidentin Hashim Thaçi duke thënë se ka dorëzuar Projektligjin për ushtri në mënyrë të shpejtë dhe nuk ka bashkëpunuar me opozitën dhe faktorët ndërkombëtarë.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. tha se disa nga nenet e Projektligjit për ushtri duhet të amandamentohen dhe të ndryshohen.

“Skeleti i këtij Projektligji ka disa nene joprofesionale dhe në mes tjerash ka anomali. Andaj duhet të amandamentohen”, deklaroi Selimi.

Ai u ndal te neni 31 i Projektligjit që ka të bëjë me betimin e ushtarëve të Kosovës.

“Ky nen ka betim vetëm që do jenë besnik në Republikën e Kosovës dhe do t’u binden urdhrave te presidentit por ka përjashtuar këtu kKushtetutën, sovranitetin dhe mbrojtjen e atdheut”, deklaroi deputeti Selimi.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Moisiu.

“Unë mendoj që institucionet, mediat dhe qytetarët duhet të punojnë shumë dhe të tregojnë se pse duhet ushtria e Kosovës. Ne duhet të shpjegojmë që Kosovës i duhet ushtria, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit”, tha Moisiu.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, tha se do të jetë i vështirë zbatimi i Ligjit për ushtrinë.

“Ky Ligj kështu siç është do të jetë vështirë i zbatueshëm sepse nuk ka vullnet për zbatimin e ligjit”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tha se është i bindur se çdo shqiptar e mbështet formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Më 7 mars, presidenti Thaçi ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, Projektligjin e FSK-së, i cili të nesërmen nga Kryesia e Kuvendit iu përcoll Qeverisë për miratim.

http://kallxo.com/thaci-fqinjet-transformimin-e-fsk-se-ta-shohin-si-hap-demokratik/

Ideja e presidentit Thaçi për ndryshimin e misionit të FSK-së u kundërshtua nga NATO dhe ShBA.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/

Vendimi i presidentit megjithatë ishte përkrahur nga të gjitha partitë opozitare.

http://kallxo.com/opozita-pro-transformimit-te-fsk-se/