Foto-ilustrim: Policia e Kosovës

“Kristal” Kundër Krimit të Organizuar

Sipas komunikatës së Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, hetimet ndaj grupit që u godit nga aksioni filluan vitin e kaluar.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime intensive që nga viti i kaluar ndaj një grupi mirë të organizuar të të dyshuarve për vepra penale të krimit të organizuar si fajde, detyrim, kanosje dhe mashtrim,” thuhet në komunikatë.

Policia më tutje njofton se gjatë këtij operacioni ka arrestuar 9 persona dhe ka sekuestruar lokale e prona, pasi dyshohet se ky grup pasurinë e ka fituar me veprimtari kriminale.

“Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Prizrenit, me këtë rast janë sekuestruar: një hotel, një restorant dhe veranda e tij, një objekt dhe një parcelë toke (6664 m2),” thuhet në komunikatë.

Policia në lidhje me këtë rast ka sekuestruar më herët edhe “para të gatshme 303.235,00 euro, 1100 franga zvicerane, 700 gramë ar, 7 vetura private”.

Policia njofton se të gjitha sekuestrimet që ndodhën gjatë këtij operacioni policor i janë dorëzuar Agjencisë për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Policia shpjegon se aksioni është një nga rastet “rastet e selektuara që ka qenë i shenjëzuar sipas procedurës së përcaktuar në procesin e liberalizimit të vizave”.

Në tetë kriteret e fundit për liberalizim vizash ishte kërkuar edhe “zhvillimi i një historie të vendimeve gjyqësore për krimet e rënda, krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

http://kallxo.com/demarkacioni-kusht-per-heqjen-e-vizave/