Bashkëbisedimi mes Thaçit e Ramadanit | Foto: KALLXO.com

Krijimin e Ushtrisë Thaçi e Krahason me Shpalljen e Pavarësisë

Presidenti Hashim Thaçi doli sot përballë Burim Ramadanit nga organizata SPRC për të sqaruar nismën e tij që FSK-së t’i jepen kompetenca ushtarake.

Gjatë bashkëbisedimit me Ramadanin Thaçi tha se krijimi i Ushtrisë së Kosovës ka bashkuar spektrin politik të vendit.

“Propozimi për themelimin e Ushtrisë së Kosovës nuk bie në kundërshtim me aspiratën e njerëzve të Kosovës dhe politikës së Kosovës. Është një unanimitet i plotë dhe ritheksoj se Kosova vetëm në ditën e shpalljes së pavarësisë ka pasur konsensus më të madh politik sesa për ushtrinë”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se bile për dhënien e kompetencave ushtarake FSK-së do të ketë më shumë vota pro sesa për shpalljen e pavarësisë.

“Unë nuk kam dëgju ndonjë deputet që ka deklaru votën kundër dhe nuk pres, qoftë shqiptar, qoftë joshqiptar me përjashtim të Listës Serbe që janë të detyruar nga Beogradi të mos marrin pjesë”, tha Thaçi.

Projektligjin për FSK-në që kësaj force i jep kompetenca ushtarake, Thaçi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli më 7 mars.

Një ditë më pas Kryesia e Kuvendit këtë projektligj ia dërgoi qeverisë për mendim.

Kundër Nismës së Thaçit reaguan NATO-ja dhe ambasada e SHBA-së duke kërkuar që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Por për t’u bërë transformimi nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese duhen  dy të tretat e votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga komunitetet, ndërsa Lista Serbe nuk ka vullnet për ta votuar këtë transformim.

Thaçi tha se është i vetëdijshëm për rëndësinë e NATO-s për sigurinë e Kosovës, por deklaroi se Kosovës i duhet ushtria.

“Unë jam krejtësisht i vetëdijshëm se siguria dhe ruajtja e sovranitetit të Kosovës në rend të parë varet nga bashkëpunimi më i ngushtë me aleatët tanë veriatlantikë, pra me NATO-n. Mirëpo, gjithashtu e kemi për detyrë kushtetuese që të ndërtojmë kapacitetet e domosdoshme mbrojtëse për të ruajtur sovranitetin tonë”, tha Thaçi.

Presidenti premtoi koordinim me ndërkombëtarët për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.

“Siç jemi koordinuar deri tani në detaje me bashkëpunëtorët dhe përkrahësit tanë, në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe tani ta bëjmë të njëjtën gjë. Unë si President e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova ta thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllimi thelbësor i ynë”, tha Thaçi.

Ai foli edhe për veprimet e Serbisë në raport me Kosovën.

“Serbia nuk është partner konstruktiv qoftë në Kosovë, qoftë në rajon, por është burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin edhe sot. Vazhdon ta pengojë shtetin e Kosovës në çdo hap. Vazhdon ta pengojë konsolidimin e Kosovës në dëm të tërë paqes në rajon, sigurisë dhe pajtimit në rajonin tonë”, tha Thaçi.

Ai konstatoi se Beogradi më lehtë e ka gëlltitur shpalljen e pavarësisë sesa formimin e ushtrisë.

Thaçi edhe njëherë përsëriti se FSK-ja ka kohë që është e gatshme për transformim, por deklaroi se e penguan zhvillimet politike.

“Ne për këtë proces kemi punuar që 7-8 vjet. Por, nuk do t’ia vë gishtin askujt, por ndodhën zhvillime të papërshtatshme politike. Pra tash e tre vjet FSK ka qenë e gatshme për ushtri, ka pasë dhe do ta ketë përkrahjen për ushtri”, tha Thaçi.