Foto: Presidenca e Kosovës

Krerët e shtetit bëhen bashkë në nisjen e punimeve të rrugës Milloshevë - Mitrovicë

Krerët më të lartë të shtetit sot kanë marrë pjesë në nisjen e e punimeve në rrugën nacionale “Rruga e tre heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, e cila do të ndërtohet nga Millosheva deri në Mitrovicë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendit po i japin pamje europiane dhe auto udhë moderne.

“Qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar fuqishëm me rregullimin e infrastrukturës dhe me modernizimin e saj në tërë hapësirat e Republikës së Kosovës është një qasje që i duhet Kosovës, i duhet shtetit, i duhet qytetarëve, që ndryshon pamjen e vendit, e modernizon dhe definitivisht i jep pamjen evropiane Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo auto udhë dhe të tjerat që janë kryer, si ajo Prishtinë-Prizren-Shqipëri, pastaj auto udha që është në përfundim e sipër Prishtinë-Shkup, ajo që sapo ka filluar në drejtim të Gjilanit dhe tjetra Kijevë-Pejë, janë investime që do të vazhdojnë dhe që po e ndryshojmë dhe fuqizojnë vendin tonë, duke e bërë me infrastrukturën më moderne edhe në nivel regjional.

I pranishëm në hapje të punimeve, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se përurimi i punimeve të këtij segmentit, është lajm i mirë për ekonominë e vendit.

“Ky lajm po vjen në të njëjtën kohë me lajmin e mirë të aktivizimit të Trepçës. Bordi i ri e ka finalizuar statutin dhe tani do të vazhdojmë me etapa të tjera, të krijimit të strukturave menaxheriale”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ky është një nga segmentet më me rendësi në Republikën e Kosovës, që e lidhë Prishtinën me Vushtrrinë dhe Mitrovicën, por edhe Kosovën dhe rajonin.

“Infrastruktura është bazament për të pasur zhvillim cilësor ekonomik”, tha kryetari Veseli.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kjo rrugë po ndërtohet me të gjithë strukturën moderne të nevojshme për një rrugë.

E ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se konstruksioni financiar i kësaj rruge është e sigurt deri në Mitrovicë, por qëllimi është që kjo të vazhdojë deri në kufi të Kosovës me qëllim që të lidhet me korridoret tjera.

Nga ana tjetër, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se ky segment rrugor do të hapë rrugë për zhvillim ekonomik dhe bujqësor.

Auto udha Prishtinë-Mitrovicë do të mbajë emrat e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore e Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Evropës Juglindore. Investimet kapin vlerën 2 milionë euro për 5 kilometra.