Drejtuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë përshëndeten me ambasadorin amerikan Greg Delawie në oborrin e Kuvendit. Foto: Kallxo.com

Krerët e Drejtësisë së Kosovës në Zyrën e Thaçit

Drejtuesit e sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës janë parë sot paradite duke dalë nga zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në takim kanë marrë pjesë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci; kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi; Kryetari i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Duke dalë nga takimi, ata janë përshëndetur me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, i cili po hynte në ato çaste në ndërtesën e Kuvendit ku gjendet Zyra e Presidentit.

Takimi i tyre në Zyrën e Presidentit supozohet se ka të bëjë me marrëveshjen për funksionalizimin e gjykatave dhe prokurorive në pjesën veriore të Kosovës, të arritur në fund të gushtit ndërmjet Presidentëve të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja e arritur nën ndërmjetësimin e BE-së parasheh fillimin e integrimit të gjykatave dhe prokurorive në veri brenda sistemit gjyqësor të Kosovës duke i dhënë fund kështu funksionimit të tyre me sistemin paralel të Serbisë.

Bashkimi Europian dje tha se pret që kjo marrëveshje të zbatohet ndërsa u shpreh se të dyja palët i kanë bërë përgatitjet për zbatimin e saj.

Sido që të jetë, gjykatësit dhe prokurorët serbë ende nuk e kanë bërë betimin para Presidentit.