Ministri Memli Krasniqi dhe zyrtari i MPJ-së greke, George Tsipras - Foto: MBPZhR

Krasniqi Kërkon më Shumë Shkëmbime Tregtare me Greqinë

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, është shprehur i gatshëm për të thelluar bashkëpunimin me Greqinë në fushën e tregtisë, ndonëse ky shtet ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Mundësitë e bashkëpunimit ministri Krasniqi i diskutoi në një takim me Sekretarin Gjeneral për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Tsipras.

Sipas ministrit Krasniqi, Kosova ka potencial në fushën e bujqësisë dhe vlerësoi se më shumë produkte të Kosovës duhet të ketë në tregun grek.

“MBPZhR është e gatshme që të bashkëpunojë me Greqinë në fushën e ekonomisë. Tash pas nënshkrimit të MSA-së duhet të rriten shkëmbimet tregtare e në veçanti të ketë më shumë produkte nga Kosova në tregun grek. Kosova ka potencial në bujqësi, dhe ky sektor mund të jetë një mundësi e mirë për investitorë nga Greqia”, tha Memli Krasniqi.

Në këtë takim, zyrtari grek theksoi se duhet të ketë nisma konkrete bashkëpunimi në bujqësi.