Seanca e gjykimit të ish-kryetarit të Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Më Është Dëmtuar Rëndë Personaliteti Politik

Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin e ish-kryetarit të Obiliqit, Mehmet Krasniqi dhe 12 personave tjerë në lidhje me asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë.

Në fjalën e tij përfundimtare, i pandehuri Mehmet Krasniqi tha se ky proces gjyqësor, i cili po bëhet në mënyrë të padrejtë, ka lënë pasoja të mëdha në jetën e tij.

NDËRLIDHUR

“Gjykatë e nderuar, përvoja ime e deritanishme në këtë proces flet për atë se tash jam i bindur që prokurorët mund t’i ngrisin aktakuzë kujtdo që i teket, me bazë e pa bazë, duke mos u ndjerë përgjegjës që me veprimet e tilla dëmtojnë rëndë individin dhe në rastin tim duke dëmtuar rëndë edhe personalitetin tim politik, e duke më rënduar situatën familjare, duke më pamundësuar angazhimin tim të mëtejmë dhe kontributin tim për vendin tim, duke më sjellë në vështirësi finanicare, duke më kufizuar edhe të drejtën e lëvizjes së lirë, me një fjalë duke më shkelë të drejtat elementare njerëzore”, tha Krasniqi.

Më tej, avokati i ish-kryetarit të Komunës së Obiliqit, Florent Latifaj, kërkoi vëmendjen e gjykatës sa i përket ekspertizës financiare.

Sipas tij, KRPP ka vërtetuar se nuk ka shkelje të Ligjit të prokurimit publik në rastin e lidhjes së aneks-kontratës.

“Nuk është eksperti financiar autoriteti i cili interpreton Ligjin e prokurimit publik, por është një institucion tjetër, në këtë rast KRPP, të cilët e kanë dhënë një mendim të cilin e kemi dorëzuar kur kemi kundërshtuar aktakuzën qysh në seancën fillestare, ku në të thuhet se nuk ka shkelje të Ligjit të prokurimit publik në rastin e lidhjes së aneks-kontratës”, tha Latifaj.

Të gjithë të akuzuarit kërkuan nga Gjykata që të lirohen nga akuza dhe të shpallen të pafajshëm.

Por e njëjta nuk ndodhi me të akuzuarin Basri Kqiku, i cili qysh në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë.

“Kërkoj nga Gjykata që të më shqiptojë një gjobë sa më minimale të mundshme”, tha Kqiku.

Ndërkaq, avokati i tij, Nasuf Hasani, kërkoi që si rrethanë lehtësuese t’i merret pranimi i fajësisë, si dhe gjendja e tij e rëndë shëndetësore, sepse tanimë është i diagnostikuar me një sëmundje shumë të rëndë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 19 maj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Në këtë proces gjyqësor ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013, kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në komunën që e drejtonte.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare ngarkohet edhe Haki Raqi, Xhavit Krasniqi, Nazmi Gashi, Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emir Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën dhe Shpend Kelmendin, si dhe përsëri Basri Kqikun, ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

18 Maj 2017 - 08:33

Arita Gërxhaliu 18/05/2017 - 08:33
NDËRVEPRIMI0

Krasniqi: Më Është Dëmtuar Rëndë Personaliteti Politik

by Kallxo
NA NDIQNI