Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka - Foto: KALLXO.com

KQZ Publikon Raportin e Zgjedhjeve në Kosovë 2000-2014

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Ditën Globale të Zgjedhjeve publikoi një dokument i cili përmban të dhënat për zgjedhjet e organizuara në Kosovë nga viti 2000 deri në vitin 2014.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themel i angazhimit tonë institucional sepse qëllimi ynë është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë të procesit zgjedhor.

Ajo tha se KQZ-ja vitin e kaluar e përmbylli me një sukses të jashtëzakonshëm dhe se arritën të bëhen anëtarë institucionalë të 25-të me të drejta të plota të Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë.

“Pas përmbylljes me sukses të vitit të kaluar, ne kemi hyrë në një vit zgjedhor, pasi që në kalendarin e Komisionit të Zgjedhjeve kemi zgjedhjet lokale për kryetar të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, tha Daka.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se që nga viti 2013, KQZ-ja po e shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve përmes aktiviteteve të ndryshme dhe se kjo është më e veçanta pasi që me këtë rast u publikua edhe dokumenti për zgjedhjet në Kosovë 2000-2014.

“Sot është një ditë edhe më e veçantë pasi që po e publikojmë një dokument të zgjedhjeve në Kosovë që e përfshinë një periudhë 14 vjeçare, ngjashëm sikurse edhe ata që i ideuan këtë ditë dhe të cilët dërguan mesazhin lidhur me nevojën jetike për të forcuar procesin e zhvillimit demokratik në të gjithë botën edhe KQZ është munduar që të shprehë përkushtimin e tij në përmbushjen e obligimeve”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja Daka shtoi se KQZ-ja vazhdimisht është angazhuar për organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë, gjë që sipas saj është vlerësuar edhe në raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Redaktoi: Naser Sertolli