Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sot në një qendër votimi në Drenas - Foto: KALLXO.com

KQZ: Për Kryetar të Drenasit Votuan 45% e Votuesve

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka konfirmuar mbylljen e qendrave të votimit në komunën e Drenasit, me ç’rast ka vlerësuar se ky proces ka qenë i rregullt dhe pa incidente.

Në një konferencë për media, Daka tha se kanë votuar 23 mijë e 861 qytetarë apo 45.39 për qind e votuesve të regjistruar.

“Në bazë të të dhënave të dërguara nga qendrat e votimit në komunën e Gllogocit, të gjitha qendrat janë mbyllur me kohë dhe dalja e votuesve në zgjedhje është 23 mijë e 861 apo 45.39 për qind të votuesve të përgjithshëm, duke mos i votuar edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta”, deklaroi Daka.

Sipas statistikave të prezantuara nga kryetarja e KQZ-së, dalja e votuesve në rundin e dytë është më e lartë sesa në atë të parin.

“Krahasuar me zgjedhjet e rundit të parë më 4 dhjetor 2016 deri në të njëjtën kohë kanë votuar 21 mijë e 318 votues apo 40. 55 për qind të votuesve”, deklaroi Daka.

Në rundin e dytë në komunën e Drenasit ishin në garë Ramiz Lladrovci (PDK) dhe Isa Xhemajlaj (NISMA).