Qendër votimi gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 | Foto nga: AP

KQZ Ndan 65 Milionë Lekë për Partitë Pjesëmarrëse në Zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi shpërndarjen nga buxheti i shtetit të fondeve për fushatën e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit.

61.75 milionë lekë ose 95% e fondit të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit shkuan për tetë parti të mëdha, ku shuma kryesore u nda mes dy partive kryesore Partisë Socialiste 28,044,942 lekë dhe Partisë Demokratike 20,771,018 lekë. [Kliko për listë e plotë]

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përcakton se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0.5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje.

Formula e shpërndarjes përdor zgjedhjet pararendëse për të vendosur shumën dhe në këtë rast KQZ iu referua 1.570.796 votave të vlefshme të marra në shkallë vendi nga partitë në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi 713,407 vota, ndërsa Partia Demokratike 528,373 vota.

Në zgjedhjet e 25 qershorit janë regjistruar 18 parti.

Fondi për 10 partitë e vogla | BIRN

Llogaritja për shpërndarjen e fondit bëhet duke u mbështetur te shuma totale, votat e vlefshme dhe pjesëtimi i votave të secilës parti. 8 partitë që fituan pjesën më të madhe ishin Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Fryma e Re Demokratike, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Socialdemokrate.

10 partitë më të vogla, të cilat nuk përfitojnë nga fondi i madh për shkak të pamjaftueshmërisë së votave apo regjistrimit këtë vit në zgjedhje, ndajnë mes tyre 5 për qind të këtij fondi ose 3.25 milionë lekë.

Ato janë: Partia Kristian Demokrate e Shqiperisë, Aleanca Arbnore Kombëtare, Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, Aleanca Demokratike, Partia Aleanca Demokristiane, Partia Komuniste e Shqipërisë, Sfida për Shqipërinë, Aleanca Popullore për Drejtësi, Lista e Barabartë dhe Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar.

Fondi i buxhetit të shtetit llogaritet megjithatë si një pjesë e vogël e shpenzimeve elektorale të partive politike në Shqipëri, të cilat kryesisht përfitojnë nga dhurimet e donatorëve privatë, shifra që zakonisht mbahen sekret dhe nuk deklarohen në mënyrë transparente.