KQZ. Foto: Kallxo.com

KQZ Gati- Shpërndahet Materiali i Ndjeshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen nesër në 19 komuna dhe ku të drejtë vote kanë 1 milion e 353.613 persona.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi se materiali i ndjeshëm zgjedhor do të dërgohet sot gjatë ditës në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve.

“Tashmë të gjitha përgatitjet për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve që do të mbahet në 19 komuna, si dhe rivotimi për kryetar të komunës së Parteshit janë përmbyllur, ka mbetur gjatë ditës së sotme  shpërndarja e materialit të ndjeshëm zgjedhor, fletëvotimeve dhe materialit tjetër përcjellës nga depoja qendrore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve, ku do të kemi proces të votimit gjatë ditës së nesërme”, tha ai.

Sipas tij, shpërndarja e materialit po bëhet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, ndërsa nesër në mëngjes nga depot komunale të zgjedhjeve, ky material do të shpërndahet për në qendrat e votimit, ku do të ketë proces të votimit.

Elezi ka thënë se për raundin e dytë të zgjedhjeve kanë qenë 6 mijë persona me të drejtë vote jashtë vendit, duke shtuar se ky proces është përmbyllur më 17 nëntor, ndërsa sot ose nesër presin raportin e votimit.

Përndryshe, numri i votueseve në 19 komunat që nesër kanë të drejtë vote është 1 milion e 353.613.

Ata janë të shpërndarë në 614 qendra të votimit me gjithsej 1.777 vendvotime.

KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë, kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në Komunën e Parteshit.

Rivotimi në Partesh zhvillohet në tri qendra të votimit, ndërsa të drejtë vote kanë 4.694 persona.