Votimet në Kosovë - Foto: Atdhe Mulla

KQZ Gati për Rivotim në Istog, Certifikon Rezultatet e Komunave të Tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka njoftuar se janë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të rundit të dytë për 12 komuna, si dhe u certifikua rezultati përfundimtar i rivotimit për kryetar të Komunës së Parteshit.

KQZ ka njoftuar se ka shpallur edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Kllokotit.

Po ashtu, në njoftim thuhet se sot u paraqit edhe para anëtareve të KQZ-së raporti lidhur me ecurinë e përgatitjeve për rivotimin në komunën e Istogut, që do të mbahet me 17 dhjetor.

Lidhur me konfirmimin dhe verifikimin e votuesve nga jashtë vendit që do të marrin pjesë në votimin për kryetar të Istogut, në mbledhje u bë e ditur se janë gjithsej 85 votues që kanë dërguar dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe se ato dëshmi janë konfirmuar.

Ndërkaq, votuesit e regjistruar jashtë Kosovës gjatë periudhës 16 korrik – 23 gusht 2017 që nuk kanë dërguar dëshmi zyrtare shtesë do të kthehen si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil.