Nga zgjedhjet Foto: Atdhe Mulla

KQZ Fton Diasporën të Regjistrohen për Zgjedhjet Lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më 23 gusht 2017 është vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës.

Sipas KQZ-së, prej se ka filluar kjo periudhë nga 16 korriku e deri të martën e 15 gushtit janë bërë 2 mijë e 296 aplikime për tu regjistruar si votues jashtë vendit.

KQZ-ja ka ftuar gjithë qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për tu regjistruar si votës dhe të votojnë në zgjedhjet e 22 tetorit.

Të gjitha informacionet lidhur me mënyrën e aplikimit dhe dokumentacioni tjetër i domosdoshëm është i publikuar në faqen e KQZ-së në këtë link.

Edhe organizata Germin i ka bërë thirrje kosovarëve në Diaposrë ta  shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar për kryetarë të komunave dhe për asamble komunale.

“Që diaspora të votojë në këto zgjedhje, janë disa kushte që duhet plotësuar dhe duhet respektuar afati kohor për aplikim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se Periudha e Aplikimit për Regjistrim për Votim jashtë Kosovës ka filluar më 18 korrik dhe përfundon më 23 gusht”, thuhet në komunikatën e Germin.