Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një qendër votimi në Drenas - Foto: Atdhe Mulla

KQZ edhe Zyrtarisht: Ramiz Lladrovci Kryetar i Drenasit

Përmes një komunikate për shtyp KQZ-ja ka prezantuar rezultatet përfundimtare zyrtare të balotazhit të 18 dhjetorit në Drenas.

Sipas rezultateve, Ramiz Lladrovci ka marrë 14 537 vota ose 62.5 për qind të atyre që votuan, ndërsa Isa Xhemajlaj ka marrë 8704 vota ose 37.5 të dalësve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 45.57 për qind apo në to kanë dalë 23294 votues gjithsej.

Sipas KQZ-së nuk ka pasur asnjë ankesë apo parashtresë që mund të ndikonte në këto rezultate.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas u organizuan, pasi kryetarit të kësaj komune Nexhat Demaku iu vërtetua nga Gjykata e Apelit dënimi për krime lufte, ndërsa ai pas këtij vërtetimi dha dorëheqje.

Në listën e votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit të drejtë vote kishin 52,569 votues, numër që shënon një rritje prej 2,338 votuesve për dallim nga zgjedhjet e fundit në këtë komunë të mbajtura në vitin 2013.

Për balotazhin e Drenasit të akredituar ishin 1 mijë vëzhgues nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të vendore, subjektet politike dhe mediat.

KALLXO.com monitoroi këto zgjedhje si në raundin e parë më 4 dhjetor, e po ashtu edhe dy javë më vonë gjatë balotazhit.

Shkrimet e KALLXO.com për zgjedhjet e Drenasit mund t’i lexoni këtu.