KQZ dhe KEDS nënshkruajnë marrëveshje për furnizim me rrymë gjatë zgjedhjeve. Foto: KQZ

KQZ dhe KEDS me Marrëveshje për Rrymë Gjatë Zgjedhjeve

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, dhe Drejtori i KEDS, George Karagutoff, nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim lidhur me furnizimin me energji elektrike për nevoja të KQZ-së gjatë zgjedhjeve lokale.

Sipas këtij memorandum KEDS obligohet që të furnizojë me energji elektrike pandërprerë selinë e KQZ-së, Zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe depot e tyre në të gjitha komunat e Kosovës dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Po ashtu, me këtë memorandum KEDS-i obligohet që të bëjë furnizim të pandërprerë me energji elektrike të gjitha 899 Qendrat e Votimit në gjithë Kosovën dy ditë para ditës së zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe dy ditët në vijim.

Valdete Daka arsyetoi nevojën për këtë memorandum, pavarësisht se obligim i KEDS-it është furnizimi i pandërprerë me rrymë.

“E ka obligim por megjithatë gjatë ditës së zgjedhjeve e ka një obligim që të jetë aty për prishje e ndonjë tentim të keqpërdorimit. Ekziston marrëveshja dhe është obligim i KEDS-it që ta rregullojë çdo problem që është në çdo qendër të votimit”, tha Daka!

Në anën tjetër, KQZ-ja obligohet që kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike KEDS t’i sigurojë adresat e sakta për të gjitha këto objekte.