KPM: Kërkesa e PDK për Hapësirë më të Madhe, e Kundërligjshme

Komentet e Merovcit u bënë në kohën kur PDK po kërkon të konsiderohet si e privilegjuar në debate televizive zgjedhore duke kërkuar hapësirë më shumë për veten dhe partitë politike me të cilat ka lidhur koalicion, AAK-në dhe NISMA-n.

Sipas Komisionit të Pavarur për Media, në Kosovë nuk ka bazë ligjore për të ofruar hapësirë më të madhe kohore në debat zgjedhor për ndonjë parti, ashtu siç ka kërkuar PDK si kusht për të marrë pjesë në DebatPernime.

“Në Kosovë në zgjedhje janë këta akterë: partitë politikë, kandidatët e pavarur, janë koalicionit, janë iniciativat qytetare.. Ligji në një garë të caktuar i njeh vetëm subjektet e certifikuara dhe kur një subject certifikohet si koalicion, ligji merret vetëm me subjektin e certifikuar që është një akter edhe është i barabartë me gjithë të tjerët”, tha Merovci për KALLXO.com.

Për dy ditë rresht, PDK nuk ka dërguar përfaqësues në DebatPernime, të moderuara nga Jeta Xharra që transmetohen në RadioTelevizonin 21, pasi që nuk u është plotësuar kërkesa që të kenë dyfish hapësirtë më shumë se koalicioni LDK-AKR dhe trefish më shumë hapësirë se Vetëvendosje.

Në pyetjen se a duhet të pranohet një kusht i tillë nga një debat i organizuar zgjedhor, Merovci tha se do të ishte shkelje ligjore.

“Jo a duhet, por nëse e bën kështu është në kundërshtim me ligjin”, tha Merovci

Ai gjithashtu konsideron se kërkesa për kohë ta pabarabartë mund të prek edhe atkin më të lartë juridik të vendit.

“PDK-ja, LDK-ja, AKR-ja, NISMA e Alternativa etj…e kanë zgjedhur vetë fatin e vetë në këto zgjedhje, as nuk e kanë zgjedhë mediat, as ju as ne si mbikëqyrës dhe kujdestarë të ligjshmërisë. Ne po mundohemi që këto zgjedhje të marrim notë pozitive sepse prej dokumentit që quhet Kushtetutë ju thuhet zgjedhje të lira, të pranueshme ndërkombëtarisht etj etj” vlerësoi ai.

Sipas Merovcit, #DebatPernime ka përmbushur obligimet ligjore dhe nuk është i detyruar të pranojë kërkesa apo kushte të tilla nga asnjë subjekt politik.

“Ju jeni munduar si media të paktën me gjetë një zgjedhje të pranueshme dhe të kënaqshme që nuk jeni të detyruara sepse si media nëse një subjekt politik i certifikuar qet kushte rreth pjesëmarrjes në një debat apo komunikim elektoral që ka të bëjë me një detyrim të medies dhe qet kushte të kundërligjshme atëherë në raport me gjykatën e mediave(KPM), jeni në rregull nëse shpjegoni se ky subjekt politik ka munguar”, tha Merovci.

Sonte KALLXo.com organizon debatin e tretë me radhë. Temë e debatit do të jetë Arsimi dhe Diaspora.

Debatin mund ta ndiqni në RadioTelevizionin 21 nga ora 19:50 si dhe live në faqen e Facebookut të KALLXO.com.