Samsung Galaxy A5 - Foto: Facebook

KPM Blen Katër Telefona të 2017-ës

Kuvendi i Kosovës është në procedura për emërimin e një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Kushdo që do të emërohet në momentin që do të nisë punën do të pajiset me një telefon “Samsung Galaxy A5”.

Përveç këtij telefoni, KPM-ja ka blerë edhe 3 telefonë të tjerë.

“Janë kërkuar katër (4) telefona, tre (3) aparatë telefonik për tre anëtarët e rinj të Bordit të Ankesave, të cilët janë të emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe një (1) aparat telefonik për një anëtar të Komisionit, i cili pritet të emërohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë Fikrete Çoçaj, zëdhënëse e KPM-së për KALLXO.com

Kostoja për këta 4 telefona është 1,760 euro apo mesatarisht 440 euro për copë.

Në bazë të njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për dhënie të kontratës këta telefona janë blerë prej “Ipko Telecomunnications”, kompani e cila rregullohet nga KPM-ja.

Në KPM thonë se blerja e telefonave është për të siguruar kushte të punës për këta punëtorë të këtij institucioni.

“Bazuar në kërkesën e Bordit për Ankesa dhe Komisionit për të siguruar kushtet e punës për të gjithë anëtarët e KPM-së dhe ata të Bordit për Ankesa, telefonat fillimisht kanë qenë të paraparë në planin paraprak dhe përfundimtar të prokurimit për vitin 2017”, tha Çoçaj për KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për blerjen e telefonave nga institucionet e ndryshme publike.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte shpenzuar gati 21 mijë euro për blerjen e 25 telefonave.

http://kallxo.com/keshilli-gjyqesor-shpenzon-20700-euro-per-25-telefona/

Gjykata Themelore në Mitrovicë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar kishte blerë një telefon në vlerë 995 euro.

http://kallxo.com/gjykata-ne-mitrovice-blen-telefon-995-euro/

Edhe Ministria e Drejtësisë kishte shpenzuar rreth 4 mijë euro për blerjen e 6 telefonave për kabinetin e ministres Dhurata Hoxha.

http://kallxo.com/mbi-4-mije-euro-telefona-per-kabinetin-e-ministres-hoxha/

Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale kishte shpenzuar 1,865 euro për blerjen e dy iPad-ëve.

http://kallxo.com/kpmm-blen-ipad-950-eurosh/

Edhe zëvendësministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Gjergj Dedajt, i është blerë një telefon “Samsung S6” në vlerë prej 630 euro.

http://kallxo.com/ministria-i-blen-samsung-s6-gjergj-dedajt/

Edhe institucioni i Avokatit të Popullit kishte shpenzuar mbi 4 mijë euro për blerjen e telefonave.

http://kallxo.com/iphone-830-euro-per-zyren-e-avokatit-te-popullit/