KPK me Rregullore për ta Hapur Zyrën e Prokurores së Akuzuar

 

Këshilli Prokurorial i Kosovë do të duhet të hartojë e miratojë një rregullore të veçantë se si ta hapë zyrën e Kryeprokurores së suspenduar të Gjakovës, Shpresa Bakia.

Kryeprokurorja e cila për momentin është duke u përballur me akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare e ka lënë të mbyllur zyrën e saj që nga dita kur është suspenduar dhe që nga ajo kohë, sipas zyrtarëve të kësaj prokurorie, askush nuk është futur në atë zyrë.

Zyra ka mbetur e pa qasshme edhe për Ali Selimajn i cili me vendim të KPK-së është caktuar ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Gjakovës.

“Nga dita kur është larguar Kryeprokurorja Bakija, përmes e-mailit ka njoftuar se do të shkojë në pushim vjetor ndërsa nuk ka bërë asnjë procedurë të pranim dorëzimit të lëndëve. Zyra e saj është e mbyllur që nga dita që është larguar më 05 nëntor 2015.” thotë  Selimaj.

Ky i fundit tha se kryeprokurorja e suspenduar para tri javësh e kishte hapur zyrën e saj vetëm për t’i nxjerrë nga aty disa lëndë të cilat janë dorëzuar tek administrata ndërsa kur kishte dalë sërish e kishte mbyllur derën me çelës.

Për zyrën e mbyllur Selimaj thotë se e ka njoftuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Këta të fundit pritet të marrin një vendim se si do e hapin zyrën.

“Kam kërkuar instruksione nga KPK-ja se si të veproj, nga të njëjtit kam marrë përgjigje që janë duke e përpilu një rregullore se si të veprohet në raste të veçanta siç është ky rast në Prokurorinë e Gjakovës, rregullore kjo që do të vlej edhe për situata tjera që mund të krijohen në prokuroritë në nivel vendi,” përfundoj Selimaj.

Kryeprokurorja e Gjakovës Shpresa Bakia përballet me një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Gjilanit pasi akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare. Në seancën e fundit të mbajtur në Gjilan Bakia e kishte quajtur viktimën e rastit si rrence.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kryeprokurores-shpresa-bakija-per-rrjedhjen-e-sms-ve-te-dashurise/