KPK-ja Shpall Konkurs për Anëtarin nga Shoqëria Civile

Anëtarët e KPK-së me pesë vota për kanë vendosur të shpallin konkurs për anëtarin që përfaqëson shoqërinë civile në këtë institucion.

Kjo u vendos pas shqyrtimit të pikës së rendit të ditës për shpalljen e konkursit për tre anëtarët joprokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Florent Muçaj kërkoi që Ligji i ri për KPK-në që fillon së zbatuari nga 1 janari i vitit të ardhshëm, me të cilin anëtarëve të KPK-së u skadon mandati më 31 dhjetor të mos vlejë për ata anëtarë që kanë mandat.

Sipas tij, mandati i anëtarëve është kushtetues dhe nuk mund të ndërpritet me asnjë ligj.

Këto fjalë të Muçajt shkaktuan reagimin e anëtares tjetër të KPK-së Sevdije Morinës.

Morina i tha Muçajt se shumica e organizatave të shoqërisë civile kanë kërkuar largimin e tij nga KPK-ja, pasi ai nuk përfaqëson interesat e këtyre organizatave.

KALLXO.com pati shkruar për kontestimin e Muçajt.

Anëtarët e KPK-së diskutuan edhe për mënyrën se si të bëhen pjesë e këtij institucioni. Më herët këta anëtarë zgjidheshin nga KPK-ja, ndërsa në Kushtetutë shkruan se ata duhet të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi praktikën e zgjedhjes së anëtarëve nga vetë KPK-ja e cilësoi antikushtetuese duke thënë se duhet dhënë fund kësaj praktike.

Me pesë vota për në mbledhjen e 107-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës është vendosur të njoftohen Oda e Avokatëve dhe fakultetet juridike qe t’i ofrojnë nominimet e tyre per anëtarë të KPK-së që do të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.