Konferenca e fundvitit e KPK-së | Foto: KALLXO.com

KPK-ja Mburret dhe Ankohet për Buxhet

Kreu i Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim Isufaj në konferencën e fundvitit për medie foli për ato që i quajti të arritura, ndërsa bëri të ditur se institucioni që drejton nuk kishte gjatë 2016-ës buxhet të mjaftueshëm.

Ai tregoi se KPK-ja për këtë vit i kishte kërkuar 13 milionë euro, por kishte marrë nga buxheti vetëm nëntë.

Isufaj tha se parashihet që puna e prokurorisë në pjesën veriore të fillojë më 10 janar, por sipas tij ende nuk ka asgjë zyrtare për këtë çështje.

Në konferencë, Isufaj përzgjedhjen e kryeprokurorëve të Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore, rekrutimin e prokurorëve të rinj, kompletimin  e strukturës nënligjore i paraqituri si të arriturat kryesore të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Teksa tregoi se gjatë këtij viti KPK-ja mbajti 17 mbledhje, foli edhe për masat disiplinore të marra ndaj prokurorëve, duke mos treguar sa prej tyre janë suspenduar, ose larguar nga puna.

“Gjatë vitit 2016 kemi pasur 25 raste disiplinore, ku janë dhënë masa të ndryshme duke filluar nga qortimi, zvogëlimi i pagës, suspendimi nga detyra,” tha Isufaj.

Në maj të këtij viti “Drejtësia në Kosovë” shfaqi hulumtimin në të cilin disa dëshmitarë treguan se prokurori Bajram Hamitaga nëpërmjet sekserëve kërkoi mito për të përmbyllur një rast të vrasjes  në tentativë.

http://kallxo.com/rrefimi-per-miton-e-prokurorise/

Pas emisionit ky prokuror u suspendua, ndërsa ndaj tij u ngrit aktakuzë për shpërdorim detyre, ndaj të cilës Hamitaga u deklarua i pafajshëm më 24 nëntor.

http://kallxo.com/prokurori-hamitaga-deklarohet-pafajshem/

Visar Musa, një tjetër prokuror dha dorëheqje, pasi emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor tregoi se ai kishte drekuar me një të akuzuar.

‘Dreka e Gabuar’ e Prokurorit me të Akuzuarin

Drekën sipas Musës e kishte aranzhuar gjyqtari Adem Shabani, për të cilin Zyra e Prokurorit Disiplinor tha se kreu sjellje të pahijshme.

http://kallxo.com/zpd-gjyqtari-shabani-kreu-sjellje-te-pahijshme/

Gjithashtu në këtë paraqitje të fundit për vitin 2016, Isufaj tha se gjatë këtij viti është bërë vlerësim i performancës për 22 prokurorë, ku 18 prej tyre kanë dalë shumë mirë, 2 mirë dhe një dobët.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Isufaj tha se KPK ka mbaruar detyrat edhe për rekrutimin e prokurorëve nga komuniteti serb,  duke i përmbushur obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit.

“Ne i kemi përmbushur obligimet tona, i kemi bërë propozimet për dekretim dhe tani jemi në pritje tha Isufaj”, duke mos dhënë ndonjë arsye më shumë se pse nuk ka ndodhur dekretimit deri më tani.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 e nënshkruar mes Kosovës e Serbisë në Bruksel parashikon që sistemi i drejtësisë të funksionojë në kuadër të kornizës ligjore kosovare, një gjë që nuk ndodh që nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.