Lulzim Basha: Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur Shqipëria

Përderisa në Shqipëri po vazhdojnë protestat e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë para protestuesve të cilët ishin mbledhur para Qeverisë në Tiranë dhe ka thënë se largimi i kryeministrit Edi Rama është i panegocueshëm.

“Bashkë kemi protestuar me dhjetëra herë këtu kundër padrejtësisë, krimit, kundër shkatërrimit të vlerave tona familjare, kombëtare e evropiane. Rama ik! Ky bashkim është frika më e madhe e Edi Ramës. Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur Shqipëria”, ka theksuar Basha.

Më tej ai ka thënë se e duan Shqipërinë si gjithë Evropa. Ai është zotuar se kjo betejë nuk do të përfundojë vetëm me largimin e Edi Ramës. Sipas Bashës do të futen në burg edhe ata që kanë vjedhur votat gjatë zgjedhjeve.

 

“Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. Pa futur në qeli ata që vodhën votat nuk ka zgjidhje politike. Kjo krizë politike duhet dhe do të mbyllet jo mbi pazare por mbi parime. Parimi i parë është dërgimi para drejtësisë i kriminelëve e hajdutëve. Nuk ka zgjedhje me 30 qershor! Këto mesazhe të prera duam ti bëjmë sonte të qarta për këdo që nuk e di. Nuk do të ketë zgjidhje me Edi Ramën”, ka thënë Basha.

Zgjedhjet lokale ishin përcaktuar të mbaheshin më 30 qershor në Shqipëri. Këtë datë e ka kundërshtuar opozita me protesta të vazhdueshme e nga ana tjetër Edi Rama me bashkëpartiakët e tij ka vazhduar të mbajë tubimet parazgjedhore nëpër të gjithë Shqipërinë.

Para disa ditësh presidenti Ilir Meta përmes një dekreti ka anuluar datën 30 qershor, kur janë paraparë të mbahen zgjedhjet.

Partia Socialiste e ka kundërshtuar vendimin e Metës duke mbledhur nënshkrimet e deputetëve të saj për shkarkimin e presidentit.