Autostrada "Ibrahim Rugova" - Foto: Ministria e Infrastrukturës

Kosto Shtesë për Autostradën ‘Ibrahim Rugova’

Kur kanë kaluar më shumë se tre vjet prej se është inauguruar, Autostrada “Ibrahim Rugova” do t’i kushtojë Ministrisë së Infrastrukturës edhe rreth 258 mijë euro.

Në njoftimin për dhënie të kontratës, të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, shihet se autoriteti kontraktues – Ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Arfa” nga Deçani më 18 janar të këtij viti planifikojnë të nënshkruajnë kontratën për këtë aktivitet.

Kontrata për kryerjen e punëve, e cila është e ndarë në dy lote, parasheh që kompania “Arfa” do të ndërtojë muret “Gabion” në autoudhën “Ibrahim Rugova”.

Muret “Gabion” janë mure mbrojtëse të cilat përdoren për të evituar rrezikun e erozionit të tokës.

Lidhur me këtë aktivitet të prokurimit ofertat e tyre i kishin dorëzuar 13 kompani, ndërsa afati i kryerjes së punimeve për lotin e parë është 120 ditë pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa për lotin e dytë 40 ditë.

Autostrada “Ibrahim Rugova” kishte filluar të ndërtohej në vitin 2010 ndërsa ishte përuruar më 26 nëntor të vitit 2016 dhe është njëri prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Kosovën e pasluftës me një kosto prej rreth 800 milionë euro.

Përurohet Autostrada “Ibrahim Rugova” (TV)

Aktualisht është duke u ndërtuar edhe Autostrada “Arbër Xhaferi”, e cila do të lidhë Prishtinën me Shkupin.