Behar Fazliu duke marrë çmimin "Kadeti më i mirë ndërkombëtar”. Foto: MFSK

Kosovari, Kadeti më i Mirë Ndërkombëtar në Kolegjin Britanik

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nëntogeri Behar Fazliu, pas një trajnimi gjashtë mujor në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar u nderua me çmimin “Kadeti më i mirë ndërkombëtar”.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e diplomimit të oficerit të Forcës së Sigurisë të Kosovës mori pjesë ambasadori fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Lirim Greiçevci.

Çmimi “Kadeti më i mirë ndërkombëtarë” për nëntoger Behar Fazliun, por edhe çmimet tjera të mëparshme janë dëshmi se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të duhur sa i përket ngritjes profesionale të pjesëtarëve të saj, dhe se ky kualitet profesional është duke u dëshmuar edhe jashtë vendit si në; shkollime, trajnime, operacione, por edhe në akademitë më prestigjioze, thuhet në komunikatën e Ministrisë së FSK-së.

Nëntogeri Behar Fazliu, pas kthimit nga Mbretëria e Bashkuar, do të vazhdojë shërbimin në Batalionin e Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) ku është i sistemuar për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin dhe profesionalizimin e batalionit, por edhe të FSK-së në përgjithësi.

Në maj të këtij viti, kapiteni i FSK-së, Mentor Ibrahimi, pjesëtar i Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, ishte shpallur oficeri më i mirë ndërkombëtar në kursin “Kapiten Karriere” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.