Kosovarët, të Lodhur nga Saga e Gjatë e Demarkacionit

Teksa qeveria përgatitet të vendosë nëse do ta dërgojë apo jo në parlament marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, vendasit shprehen të lodhur nga zvarritja e polemikave.

Qytetarët në Prishtinë janë të mëdyshur rreth ratifikimit apo jo të marrëveshjes polemike të kufirit me Malin e Zi nga parlamenti, ndërsa partitë e opozitës thonë se ajo do t’i marri Kosovës tokë.

NDËRLIDHUR

Megjithatë, shumëkush dyshon nëse miratimi i marrëveshjes do të çojë ekskluzivisht në heqjen e vizave me BE-në.

“Komisione të ndryshme duhet të punojnë në këtë çështje, të cilëve njerëzit u besojnë dhe që nuk janë të ndikuar nga politika. Por nuk mund të them nëse marrëveshja duhet të miratohet apo jo,” tha për BIRN Vaxhid Xhelili 50 vjeç nga Prishtina.

Shtetasit e Kosovës, të cilët diskutuan me BIRN, thanë se marrëveshja e nënshkruar në gusht 2015 në Bruksel ishte zgjatur shumë dhe disa mendojnë se kjo punë duhet të përfundojë.

Bashkimi Europian e ka vënë ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi në krye të kushteve të saj për liberalizimin e vizave.

Xhevdet Jashari, 51 vjeç, tha se ishte koha që parlamenti ta kalonte marrëveshjen, por shtoi: “Nuk mendoj se kjo do të sjellë liberalizimin e vizave. Qeveria duhet fajësuar për këtë”.

“Ky proces duhet të përfundojë sepse, nëse duam të jemi qytetarë europianë, kufijtë nuk janë të rëndësishëm,” shtoi ai.

Rajoni malor – ku të zë syri për disa kilometra veç livadhe dhe disa kasolle verore të përdorura nga barinjtë – është subjekt i një mosmarrëveshje të gjatë kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa dy vendet të cilat dikur kanë qenë pjesë e Jugosllavisë nënshkruan marrëveshjen e demarkacionit në vitin 2015, parlamenti i Kosovës ende nuk e ka ratifikuar atë.

Marrëveshja, duke iu referuar Kushtetutës Jugosllave të vitit 1974 dhe hartave nga viti 1974, e përcakton kufirin disa milje poshtë majës në drejtim të Kosovës.

Marrëveshja ka shkaktuar përplasje të dhunshme në Kosovë, ku disa opozitarë dhe deputetë të partisë në pushtet pretendojnë se i merr Kosovës 8,000 hektarë tokë.

Ata pretendojnë se kufiri i vërtetë mes Kosovës dhe Malit të Zi ndodhet në kullën Zhlepit, në majën e Çakorit.

Një komision ekspertësh i caktuar për të hedhur në hartë territorin e Kosovës doli në shkurt në përfundimin se nuk ka humbje të territorit me nënshkrimin e një marrëveshje për përcaktimin e kufijve me Malin e Zi.

Zana Mehmeti, 27 vjeçe, shprehet: “Deputetët duhet të votojnë për demarkacionin për hir të liberalizimit të vizave”.

Gjithsesi, Shefki Beqiri, 70 vjeç, mban qëndrim më të ashpër. Sipas tij, “marrëveshja e demarkacionit nuk duhet të votohet”. “Por ata që e kanë nënshkruar tashmë duhet të merren me të tani sepse ky proces ka zgjatur shumë,” shtoi ai.

Qeveria e Isa Mustafës ka planifikuar një takim të mërkurën për të vendosur mbi dërgimin e marrëveshjes në parlament.

Ky takim do të pasojë një votim në parlament mbi një mocion mosbesimi të ngritur nga opozita.

10 Maj 2017 - 13:38

Die Morina, BIRN 10/05/2017 - 13:38
NDËRVEPRIMI0