Pamje nga trazirat e marsit 2014. Foto: Nato

Kosovarët Nuk Pajtohen me Prokurorin e EULEX-it për Trazirat e Marsit 2004

Jakup Krasniqi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e ka vlerësuar si ‘politike’ konkluzionin e prokurorit italian të përmbledhur në një aktakuzë ndaj disa personave për vrasje në të kryer në vitin 2004.

“Tash duhet me pa ma shumë këtë aktakuzë. Unë mendoj që ajo është dashtë të bëhet me kohë. Kjo që del tash më shumë është politikë, se sa drejtësi”, tha shkurt ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi për KALLXO.com.

Në vitin 2004, kur Kosova u përfshi nga sulmet e shqiptarëve ndaj disa vendbanimeve të serbëve në disa pjesë të vendit, Jakup Krasniqi ka qenë pjesë e qeverisë së Kosovës, duke mbajtur pozitën e Ministrit të Shërbimeve Publike (ekuivalente me Ministrinë e Administratës Publike sot).

KALLXO.com ka siguruar ditë më parë kërkesën e prokurorit të EULEX-it Danilo Cecareli për paraburgim të disa personave të lidhur me vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës në vitin 2004 në afërsi të Podujevës. Në këtë dokument, Cecarelli pretendon se ka rënë në gjurmë mënyrës se si u organizuan trazirat e marsit 2004 e poashtu disa prej vrasjeve misterioze që u kryen në atëkohë.

http://kallxo.com/dosja-e-eulex-per-trazirat-e-marsit-2004-urdhra-nga-struktura-te-larta-te-uck-se/

Prokurori Cecareli pretendon se ka fakte se udhëheqësit ishin ish eprorë të UÇK-së dhe njerëz me poste politike në atëkohë.

“Grupi ishte pjesa qendrore e organizimit dhe ekzekutimit të trazira të Marsit në mes datave 17 mars dhe 19 marsit”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

Analisti politik Ramush Tahiri, i cili në kohën e këtyre trazirave ka qenë këshilltar i ish kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, pretendon se ka shumë politikë në dokumentin e prokurorit të EULEX-it.

“Aktakuza duhet me qenë faktike sepse na gjyqet politike i kemi hequr me ish Jugosllavinë. Këto që thuhet se është organizuar nga struktura të larta të UÇK-së, UÇK-ja në atë kohë s’ka ekzistuar, UÇK-ja është demobilizu herët edhe janë krijuar strukturat tjera”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ai përjashtoi mundësinë që dikush nga politika e atëhershme të ketë pasur dorë në ato ngjarja.

“Sa e di unë dhe sa mund të flas unë me kompetencë, përfitime politike askush s’ka pas por vetëm dame. Serbia e ka shfrytëzu ma shumë sepse e ka nxjerrë më vonë ligjin për decentralizmin dhe për mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike”, tha Tahiri.

Por Tahiri thotë se ka vërejtur gjithnjë një përpjekjetë ndërkombëtarëve për t’ua hedhur fajin institucioneve vendore për këto ngjarje, më të rëndat në Kosovën e pasluftës.

Këtë ai e ndërlidh edhe me të gjeturat e një raporti të Misionit të OSBE-së në Kosovë të atij viti në të cilin televizioni publik, RTK, akuzohej për nxitje të trazirave.

“OSBE-ja e ka gjykuar edhe RTK-në që ka qenë nxitëse. Misioni ndërkombëtar ka dashtë t’ia hedhë fajin institucioneve të Kosovës, ani që në atë kohë, në 2004, s’kanë pasur pushtet”, nënvizoi Tahiri për KALLXO.com.