Egzon Osmanaj dhe Jeta Krasniqi, KDI, Foto: Kallxo.com

Kosovarët Mendojnë se Dialogu Nuk i ka Përmirësuar Marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Sipas një sondazhi të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës për këndvështrimin e qytetarëve për “Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi” ka dalë se 50 për qind e kosovarëve mendojnë se dialogu nuk i ka përmirësuar marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

27 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu i cili ka filluar që nga viti 2011 ka përmirësuar marrëdhëniet Kosovë – Serbi kurse 23 për qind prej tyre janë përgjigjur me ‘nuk e di’.

Më 19 prill 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës marrëveshja e parë për normalizim të marrëdhënieve.

Por Egzon Osmanaj nga KDI tha se më pas pas pati provokime nga pala serbe si ajo e trenit, e murit dhe fushatave propaganduese nga pala serbe.

“Marrëveshjet duhet te rishikohen që të shihet ku ka ngecje. Kjo është e rëndësishme të bëhet para fillimit të fazës së re të dialogut”, ka thënë Osmanaj.

Po ashtu qytetarët e Kosovës janë treguar pesimistë sa i përket njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë në fund të dialogut.

48 për qind e qytetarëve janë përgjigjur me ‘jo’ kur janë pyetur se a presin që Serbia ta njoh Kosovën me përfundim të dialogut. 31 për qind janë përgjigjur me ‘po’ dhe 21 për qind me ‘nuk e di’.

Egzon Osmanaj tha se pala kosovare ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve do të sillte njohje nga Serbia kurse pala serbe kanë thënë që normalizimi i marrëdhënieve shmang njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Edhe në strategji e cila u publikua para pak ditëve nuk është e qartë nëse do të ketë njohje nga Serbia në fund të dialogut. Pala kosovare duhet të ketë qëndrim të unifikuar për përfundimin e dialogut, duhet të kërkohet në mënyrë eksplicite njohja e Kosovës nga Serbia në përfundim të dialogut që t’u hapet rrugë të dyja vendeve për anëtarësim në BE”, ka theksuar Osmanaj.

Kur janë pyetur të anketuarit se a do të përmbyllet dialogu në vitin 2018, më shumë se gjysma e tyre janë përgjigjur se nuk mendojnë se dialogu do të përmbyllet këtë vit.

51 për qind sipas sondazhit të KDI-së janë përgjigjur me ‘jo’, 22 për qind janë përgjigjur me ‘po’ dhe 27 për qind janë përgjigjur me ‘nuk e di’.

Po ashtu shumica e të anketuarve mendojnë se dialogu Kosovë – Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen e ShBA-së në dialog.

49 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me ‘jo’, 30 për qind prej tyre janë pajtuar që dialogu të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e ShBA-së në dialog kurse 21 për qind prej tyre janë përgjigjur me ‘nuk e di’.

Jeta Krasniqi nga KDI tha se ende nuk dihet si do të ecet përpara në dialog.

“Nga pala kosovare kemi dëgjuar se dialogu do të përfundoj me njohje të Kosovës nga Serbia e nga pala serbe kemi dëgjuar se kjo nuk do të ndodhë. Rasti i fundit i vrasjes së Ivanoviqit tregon problemet e mos shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.