Kosovarët e Shohin Ekstremizmin e Dhunshëm si ‘Rrezik i Lartë’

Hulumtimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nxjerr se 70 përqind e qytetarëve e shohin ekstremizmin e dhunshëm si ‘rrezik i lartë’, përderisa një numër të vogël prej 14 përqind të të anketuarve që mendojnë se ky fenomen paraqet ‘rrezik mesatar’. Nga ana tjetër, 15 përqind mendojnë se rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm është ‘i vogël’.

Hulumtimi e vlerëson Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Drejtësisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Policinë dhe AKI-në si institucionet që kanë qenë më aktivet në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i QKSS, thotë se ky lloj ekstremizmi nuk mund të luftohet me përdorim të forcës nga ana e institucioneve të shtetit.

“Ne nuk e shohim dhe kurrë nuk e kemi parë parandalimin e ekstremizmit nga perspektiva e përdorimit të forcës apo nga perspektiva e angazhimit vetëm të policisë dhe akterëve institucionalë shtetërorë prandaj ne iu kemi qasur në mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha Qehaja.

Burim Buleshkaj nga Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se ky institucion ka marrë disa hapa për parandalimin e përhapjes së kësaj ideologjie brenda burgjeve.

“Jemi në monitorim të vazhdueshëm të këtyre personave të cilët akuzohen për këto vepra të terrorizmit apo që kanë shfaqur shenja të radikalizmit gjatë vuajtjes së dënimit”, tha Buleshkaj.

Një mësim tjetër i nxjerrë nga rastet e komunave më të prekura nga ekstremizmi i dhunshëm, Kaçanik, Hani i Elezit dhe Mitrovicë është edhe reformimi i sistemit arsimor.

Hulumtimi thotë se kërkohen reforma të qarta në sistemin arsimor dhe rritje e mendimit kritik te studentët meqë është vërejtur “diskrepancë e madhe mes sistemit arsimor në Kosovë dhe nevojës së tregut”.

Anne Huhtamaki, ambasadorja finlandeze në Kosovë tha se përveç mendimit kritik i rëndësishëm është edhe edukimi medial.

“Në çdo mënyrë ne mund të rrisim mendimin kritik dhe edukimin medial, si të zgjedhin informacione të besueshme dhe kjo është një mënyrë si të edukohen fëmijët dhe të rinjtë” tha ambasadorja finlandeze.

Rufki Suma, kryetar i Hanit të Elezit, vend që sipas hulumtimit është një ndër vendet më të prekura nga ekstremizmi i dhunshëm dhe luftëtarëve që kanë shkuar në luftërat e huaja tha se numri prej 300 rekrutimeve është i madh për një territor sa Kosova.

“Shumica e njerëzve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja sidomos në Siri janë kthyer. Vetë fakti që qytetarët janë kthyer nga atje nënkupton që ata kanë shkuar për një motiv dhe e kanë parë që nuk është ashtu sikur kanë menduar dhe janë kthyer, dhe nuk do të thotë që çdokush që ka shkuar atje është terrorist” shtoi Suma.