Dhoma e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Kosova veç në dy organizata të lidhura me OKB-në

Grupi për Studime Juridike dhe Politike paraqiti sot hulumtimin në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizatat e specializuara të Kombeve të Bashkuara.

Albana Rexha nga kjo organizatë tha se nga viti 2009 Kosova ka mundur të anëtarësohet vetëm në dy organizata të tilla në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Grupin e Bankës Botërore.

Sipas Rexhës, Kosova ka për t’u anëtarësuar edhe në 13 organizata të specializuara të OKB-së.

Ajo tregoi pse Kosovës i duhet ky anëtarësim.

“Anëtarësimi do të forconte shtetësinë e Kosovës dhe njëkohësisht do të rriste prezencën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Rexha.

Hulumtimi i sugjeroi qeverisë aplikimin për anëtarësim në tri nga këto organizata, bërja pjesë e të cilave konsiderohet më e lehtë.

Tri organiztaat ku Kosova duhet të tentojë shpejt anëtarësimin, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike janë Organizata Botërore e Shëndetësisë, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillim të Bujqësisë dhe Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale.

Për të pasur sukses në anëtarësim, Albana Rexha sugjeroi të merren parasysh tri gjëra.

“Numri i njohjeve të jetë i pakontestueshëm dhe i saktë, që shtetet që kanë njohur shtetin e Kosovës të votojnë pro anëtarësimit në këto agjenci të specializuara dhe që shtetet që kanë njohur Kosovën të kenë të drejtë vote”, tha Rexha.

Përveç tri organizatave që përmendi Rexha, Kosova nuk është anëtarësuar ende në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara, Organizatën Botërore Meteorologjike, Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë, Organizatën Ndërkombëtare Detare, Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Unionin Postal Universal, Organizatën e Zhvillimit Industrial të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Turizmit.

Kosova kishte tentuar pa sukses anëtarësimin në UNESCO në vitin 2015, ndërsa vitin e kaluar shtyu tentimin për anëtarësim në këtë organizatë.