Kosova Synon të Jetë Vëzhguese në OBT

Qeveria e Kosovës është duke e shqyrtuar mundësinë që të aplikojë për anëtar vëzhgues në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), e jo për anëtar me të drejta të plota.

Këtë e ka bërë të ditur Sytrime Dervisholli, zyrtare e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në një tryezë diskutimi të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Dervisholli tha se MTI po e shqyrton mundësinë e aplikimit si vëzhgues në OBT, pasi që për arsye të aktualiteti politik në të cilin gjendet Kosova do të ishte e vështirë të shkohet me kërkesën për t’u bërë anëtar me të drejta të plota.

Sipas zyrtares së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Kosova mund të përfitojë shumë edhe si anëtar vëzhgues, sidomos nga asistenca teknike, me ç’rast zyrtarët qeveritarë dhe ata të komitetit të biznesit do të kishin mundësinë të shkonin në trajnime dhe grupe punuese në vendet e jashtme.

Besnik Bislimi nga Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se iniciativa për anëtarësim në OBT kërkon konsensus politik.

“Ky proces kërkon një konsensus politik. Është një proces afatgjatë, që tejkalon mandatin e një qeverie. Nuk kish me guxu me u inicu apo me u implementu pa një konsensus politik, për arsye se kjo rrezikon pastaj edhe komoditetin e përfaqësuesve tonë gjatë këtij procesi të negociatave”, tha ai.

Ndërsa, Bernard Nikaj, njohës i fushës, tha se nuk kemi nevojë të ngutemi për anëtarësimin në OBT pasi që rreth 80 për qind e volumit tregtaë mbulohet nga marrëveshjet tregtare të nënshkruara deri më tash.

“Nuk e kemi nguti politike që të bëhemi anëtar të Organizatës Botërore të Tregtisë. Në anën tjetër nuk kemi nguti as ekonomike për faktin që rreth 80 për qind e volumit tonë tregtar mbulohet nga marrëveshjet tregtare siç është CEFTA, siç është Marrëveshja e Stabilizimi-Asociimit. Për më tepër besoj edhe më shumë se 80 për qind me faktin se ne kemi një marrëveshje të tregtisë së lirë të negociuar me Turqinë”, tha Nikaj.

Shpend Balija nga Këshilli Evropian i Investitorëve tha se mbështet iniciativën e MTI-së për anëtarësim si vëzhguese dhe Kosova do të përfitojë edhe si anëtar i tillë.

“Duke pasur parasysh që Kosova është ekonomi kaq e vogël, një organizatë si OBT-ja do të ishte diçka jashtëzakonisht përfituese për Kosovën, dhe mendoj se Ministria me shumë të drejtë e ka përmendur faktin që anëtarësimi si vëzhgues do të ishte një hap ndoshta më i rëndësishëm në këtë organizatë. Unë e mbështes këtë iniciativë dhe besoj që Kosova do të ketë benefite më të mëdha edhe në rastin e anëtarit vëzhgues”, vlerësoi ai.

Në këtë tryezë Grupi për Studime Politike dhe Juridike prezantoi edhe raportin “Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT): Një vlerësim i përfitimeve dhe kostove potenciale”.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), është organizatë ndërkombëtare me seli Gjenevë të Zvicrës, e cila ka të bëjë me rregullat e tregtisë në mes të kombeve.